Në ditë festash u gjunjëzuam në zi, 7 familjet që u shuan nga tërmeti
Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit u kthye në një tragjedi për Shqipërinë.

Në ditë që duhet të festonte, vendi u gjunjëzua nga zia dhe 7 familje i përpiu toka.

Familja Karanxhaj, në Durrës, nëna 30-vjeçare dhe e bija vetëm 8-vjeç, nuk ia dolën të mbijetonin.

Lëkundja e fortë do shkaktonte tragjedi edhe në familjen Lala në Durrës, banesa e së cilës u shemb totalisht, në orën 3.54 të së martës. Pesë pjesëtarë të kësaj familjeje kanë humbur jetën, ndërsa në rrënoja gjenden edhe katër të tjerë. Vetëm një djalë 16-vjeçar ka mbijetuar.

Sipas Policisë, viktimat janë: Selvie Lala, 74-vjeçe; nusja e saj, Sahete Lala, vjeçe, bashkë me dy vajzat, Amelja Lala, 10-vjeçe dhe Arjela vetëm 5-vjeçe. Në vilën 3 katëshe, ku jetonin tre vëllezërit Lala së bashku me familjet e tyre ishte ndër të paktat që u shembën në zonë. Ndërtesa e tyre mori goditjen në lëkundjen e fortë, ndërsa shpresa nuk është fikur për pjesëtaret e tjerë që gjenden ende nën rrënoja.

E marta ishte e zezë edhe për Familjen Reçi, me origjinë nga Mirdita e banues në Durrës. Katër pjesëtarët, babai Eduard Reçi, 54-vjeç, nëna Dolora Reçi, 49-vjeç, vajza Kristi Reçi, 25-vjeç, dhe djali Klaus Reçi, 21-vjeç, u përcollën në banesën e fundit, pasi humbën jetën tragjikisht nën rrënoja.

E ndërsa për Familjen Cara në Thumanë, dasma u kthye në funeral. Vera e celebrimit nuk erdhi kurrë për çiftin e ri të kësaj familje, të cilët humbën jetën nën gërmadha. I vetmi i i mbijetuar ishte Alberti, kryefamiljari, ndërsa pa jetë mbetën Fatmira Cara 54-vjeç, Hasan Cara 16-vjeç, Ankthi Cara 65-vjeç, Almir Cara 26-vjeç, Stela Zvergeci 20-vjeç, e fejuara e Almir Carës.

Po kaq e papritur ishte vdekja, edhe për dy vëllezërit nga Kosova, të cilët kishin mbërritur për të pushuar në Durrës. Shemsedin e Isa Abazi, kishin humbur më parë edhe vëllain e tretë. Pas 15 orësh ankthi, se çfarë ishte bërë me fatin e tyre, u gjetën të pajetë në hotelin ku ishin akomoduar.

Ndërsa në familjen Çupi, vetëm një nga pjesëtarët arriti t’i shpëtojë luftës së ashpër me vdekjen, në grumbullin e madh me inerte. Nën rrënoja ndodheshin 3 anëtarë të një familje. Vetëm njëri nga djemtë e Hajredinit shpëtoi, tjetri vdiq. Prej 20 vitesh jetonin në këtë pallat. Drithëruese ishin lotët, ankthi dhe dëshpërimi i një zonje teksa kërkonte vëllain, nusen dhe djalin e tyre dhe priste me shpresë që një mrekulli t’i kishte lënë ata gjallë nën rrënojat e pallati të shembur në Thumanë shkruan shijaktv.

Por fati që i ndoqi ishte tragjik, të tre u nxorën të pajetë. Pëllumb Greku 57 vjeç, bashkëshortja e tij Çelike 57 vjeç dhe djali i tyre Saimir 31-vjeçar, u nxorën të pajetë nga rrënojat. Shpëtimi i tij u prit me duartrokitje nga forcat e ushtrisë dhe të policisë që prej orësh të tëra kryenin një nga operacionet më të vështirë. Por ky gëzim u kthye në heshtje të kobshme pasi u riu ndërroi jetë në duart e mjekëve në spital.

Të mbeturit në gërmadha, luftuan me vdekjen, forcat e kërkim shpëtimit luftuan me kohën, familjarët luftuan me dhimbjen, dhe e vetmja gjë që mbeti e palëkundur që prej mëgjesit të së martës, ishte shpresa, se atje poshtë, nën copëzat e mëdha të mbetura nga shkatërrimi i ndërtesave gjigande, do të kishte ende jetë. Disa arritën te rezistojnë deri në grahmën e fundit, e ndërsa disa të tjerë, mes shumë përpëlitjeve për të jetuar, nuk patën rrugë tjetër veçse ti dorëzoheshin vdekjes.
Shtuar më 29/11/2019, ora 12:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori