Ndryshimet kushtetuese, reagon ashpër Presidenti Meta
Presidenti Meta ka reaguar ashpër në lidhje me ndryshimet kushtetuese për të cilat vendosi sot Kuvendi.

Sipas kreut të shtetit, akti i sotëm i “ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm.”

Reagim i Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

30 korrik 2020

Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!

Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjesoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane.
Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti.

Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre.

Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë.

Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund! 🇦🇱


Shtuar më 30/07/2020, ora 15:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori