Arben Ahmetaj rekurs në Gjykatën e Lartë për kontrollin e vilës së partneres

Eshtë regjistruar sot kërkesa e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt, për rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar kontrollin në vilën në Hamallaj të bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxha. Mësohet se kërkesa është regjistruar dje, ndërkohë relator i çështjes është Medi Bici.

Kjo lëvizje vjen nga deputeti i Partisë Socialiste pas vendimit të Apel për të rrëzuar ankimimin e bërë për paligjshmërinë e kontrolleve në vilën e partneres së tij Erjola Hoxha.

Avokati i Ahmetaj, theksoi në ankimimin e bërë se kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së deputetit, Erjola Hoxha, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për shkak të imunitetit të deputetit.

SPAK po heton rolin e ish-zv.kryeministrit për inceneratorin e Fierit. Më 9 mars, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Ahmetaj kërkoi konstatimin e vendimit të shkallës së parë si anti-kushtetues, pasi sipas tij, për lejimin e kontrollit të banesës së bashkëjetueses së tij duhej marrë miratim nga Kuvendi.