Ndarja nga jeta e Fatos Buxhakut, Basha: U prehtë në paqe pioneri i reportazhit
Pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur, Fatos Baxhaku, kreu i selisë blu, Lulzim Basha, ka ngushëlluar familjen.

Në një mesazh të lënë në Facebook, Basha shprehet i pikëlluar për largimin parakohe nga jeta të gazetarit të njohur, duke e cilësuar si një ikonë të gazetarisë.

“Mësova i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, publicistit dhe historianit Fatos Baxhaku.

Një ikonë e gazetarisë së re të Shqipërisë, asaj që lindi si tribunë e fjalës së lirë, bashkë me demokracinë në vitin 1991, Fatos Baxhakut si shumë pionierëve të tjerë të fushës, iu desh të përshkonin të parët shtegun e pashkelur të profesionit dhe etikën e profesionit në të njëjtën kohë. Ai ishte për shumë vjet edhe gazetar, edhe profesor i gazetarisë, edhe polemist e replikues, edhe sindikalist i gazetarëve, edhe mbrojtësin e të drejtave të njeriut.

Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie.

Pionier i reportazhit e dokumentarit televiziv, gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ato nuk do t’i ketë më, por do të shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij.

Në këto momente të vështira i gjendem pranë familjes, në humbjen e pangushëllueshme të njeriut të tyre më të dashur. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.


Shtuar më 16/08/2019, ora 17:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori