Nano President, Rama: Pyesni edhe mazhorancën
Edi Rama
Proces në bazë rekomandimesh. Kështu e ka cilësuar kryesocialisti Edi Rama procesin e integrimit të Shqiperise në BE. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai është shprehur se rregullat e lojës janë të qarta për politikën shqiptare, realizimi i 12 pikave. Në këtë kontekst ai shënjestron mazhorancën për mosrealizim të pjesës së saj, pasi sipas Ramës opozita po jep kontributin e plotë me pjesmarrjen në Parlament.


“Besoj që integrimi në BE është një proces që zhvillohet mbi bazën e vetë KE, opozita ka marrë përsipër pjesën e saj, duhet dhe mazhoranca të luajë rolin e saj, gjërat në pjesën e tyre nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Nuk kanë të gjithë të njëjtën përgjegjësi, barra kryesore është përgjegjësi e qeverisë, ne do bëjmë gjithshka që të mos humbim mundësinë për të tretën herë radhazi”tha ai.


Sa i përket reformës zgjedhore Rama është shprehur qartë se kush shkel dakordësinë lë të hapur dyshimin për zgjedhje jo të lira dhe të ndershme. Ai shtoi gjithashtu se pjesmarrja e PS-së në komisionin për reformën zgjedhore është dhe zëri i kërkesave të aleatëve të koalicionit.


“Në tryezën e reformës zgjedhore kemi vendosur pikat ku duhet të fokusohemi, duhet që palët të gjejnë dakordësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme kush e shkel dakordësinë mbetet i dyshueshëm. Sa i përket sistemit PS mendon që ka hapësira për të bërë ndryshime për garantimin e votes. Me aleatët kemi dakordësi të plotë dhe në komision flasim dhe me zërin e tyre”shtoi Rama.

Duke sjellë në vëmendje ngjarjet e 21 janarit ai është shprehur i indinjuar për mosndëshkimin, sipas tij të vrasësve, ndërsa ka mohuar që pas akteve të dhunës së protestës të fshihet partia e tij.“Faktet flasin më mirë se cdo koment i imi. 132 persona janë ndaluar dhe kanë paguar cmimin për pjesën e tyre, por vrasësit dhe urdhësruesit e tyre mbeten të pandëshkuar as ligjërisht as moralisht. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, ne nuk kemi refuzuar hetimet. Ne nuk kishim synim të realizonim protestë të dhunshme. Të gjithë ata që janë ndaluar janë hetuar nga policia e shtetit dhe është vërtetuar se nuk ka pasur asnjë provë që PS është fshehur pas ushtrimit të dhunës” deklaroi kreu i PS-së Rama.

Por do të marrë "OK" e PS-së, zoti Fatos Nano, si kandidat për zgjedhjet e ardhëshme presidenciale?

“PS mendon që Shqipërisë i duhet një President që të jetë garant i unitetit dhe garant i Kushtetutës së vendit dhe për këtë duhet një konsultë mes palëve. Ne nuk hymë në emra, nuk paragjykojmë askënd. Ne duam një President të pranuar dhe të votuar nga të gjitha palët”.
Shtuar më 19/03/2012, ora 21:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori