Na "mbytën" malokët!
Nga Bledi Mane

1./E dallova jo vetëm nga fiziku, por edhe nga ulërimat me dialekt. Më ishte fiksuar edhe modeli i flokëve të tij, onde të dendura, ajo pika sipër ballit që ia shpërndante leshrat simetrikisht porsi petalet e ngjeshura të një trëndafili bullgar.

E kisha parë shpesh në mbledhjet e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që bënim në kryeqytet, madje e kisha takuar edhe dy herë kur shoqëronte Sali Berishën në Përmet.

Izet Haxhiaj bashkë me të tjerë patriotë të tij me të njëjtin theks e me të njëjtin model flokësh, po grushtonin shunshëm një burrë të vetmuar i cili pinte alkoolin e kohës përballë Hotel Dajtit.

Ky i fundit në dehje e sipër i pati ngacmuar me një shprehje fyese që unë adoleshenti provincial kurrë nuk e kisha dëgjuar më parë:

-Do e merrni më qafë Tiranën ju malokët!

Sherri ndodhte në vitin e brishtë 1993, arena e luftimit ishte Bar Kafe "Tirona" me pronar Bixh Balerinën...

2./
26 vjet më pas, fjala "malok" qëndron ende e freskët në manualet e përdorimit të gjuhës shqipe orale e verbale pa u ndaluar kurrë as nga institucionet, as nga mediat, as nga folklorizmat. Fillimisht u përdor si fjalë por më pas u klonua, u krijua e u formëzua si një mit sa fyes aq edhe groteskt, sa përçmues por jo aq ndarës.

Kjo qenie e re shëtit virtualisht dhe fizikisht në kokat tona, rrugët tona, lagjet tona. Një qenie gjigande si në fantashkencë që zbriti nga mali, zaptoi e vodhi toka, që bërtiste e kërcënonte, që mbillte dhunë, nuk arsimohej, që ishte i uritur për ushqim, për lekë, për seks.

Një qenie tashmë e rafinuar që nuk i përket vetëm Veriut të Jugut apo Jugut të Bjeshkëve. Krijuam pa dashje "malokun mbarëshqiptar"...

Dhe e morrëm me shaka kur e vumë re që po tentohej të ngjizej bashkë me vezoret e mitrës hakmarrëse të Sali Berishës. Nuk denjuam as ta këshillonim, as ta orientonim, as ta ndalonim por kujtuam se ajo mitër ishte shterpë dhe nuk riprodhonte. Ne, një e nga një e vadisnim me spermën e indiferencës dhe diferencës sonë.

Ne nuk e ndaluam në kohë "malokun" tropojan, shkodran, "malokun" fierak, skraparlli, elbasanas apo vlonjat të vidhte vota, të plepëzohej gjykatës në Durrës. Nuk e ndaluam të konvertohej në shiks partie, të dhunonte gazetarët, të zaptonte godinat e studentëve.

Ne ndihmuam çdo parti politike të kishte e të ketë armatën e saj të malokëve pavarësisht theksit dhe gjatësisë së trupit. Ne u dhamë një dorë që nga hajdutë konviktesh, sot të konvertohen në vjedhës tenderash, nga vrasës me pagesë, sot të kenë imunitet deputetësh opozitarë dhe qeverisëshis. Nga molotovë hedhës, nesër të bëhen ministra mbrojtjeje.

Porsi regjimi komunist i Enverit krijoi "njeriun e ri socialist" , edhe regjimet e Berishës, Nanos, Metës, Ramës krijuan dhe përsosën "malokun e ri kapitalist".

Problemi tashmë qëndron jo se po na mbysin "malokët" por kur do na vi rradha që edhe ne të bëhemi "malokë"!
Shtuar më 13/05/2019, ora 16:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori