Myslimanët e Korçës deklarohen grekë
Procesi i Censusit të Popullsisë dhe Banesave ka hyrë në ditën e katërt të tij. Aleanca Kuq e Zi deklaron se disponon fakte të abuzimeve të hasura gjatë regjistrimit të popullsisë të shkaktuara si nga regjistruesit edhe nga të regjistruarit.

Aleanca Kuq e Zi bën me dije se manipulimi ka arritur kulmin në fshatin "Shën Gjergj" të Korçës, ku banorët me emra muslimanë po vetëdeklarohen me kombësi greke.

"Disponojmë të dhëna që shumë regjistrues (anketues) po përdorin lapsin në plotësimin e formularit duke lënë hapësira për abuzim dhe ndryshime të të dhënave. Shumë qytetarë po fotokopjojnë formularin e regjistrimit për ta përdorur si dokument në Konsullatën Greke", deklaron AK.

Duke iu referuar informacioneve, AK akuzon për përfshirjen në këto abuzime të Konsullit Grek Ikonomus, i cili sipas saj, ka vendosur të shpërblejë qytetarët me një sasi të hollash në këmbim të deklarimit të kombësisë greke.


"Përfaqësues të Ambasadës Maqedonase u kanë kërkuar qytetarëve në zonën e Gollobordës të deklarohen me kombësi maqedonase. Gjithashtu, kanë kërkuar përzgjedhjen e disa regjistruesve në këto zona", bën me dije AK.

Aleanca Kuq e Zi akuzon qeverinë se ka kontraktuar si regjistrues për këtë proces me mijëra militantë partiakë duke kontrolluar politikisht këtë proces e duke u shpërblyer edhe me mundësi punësimi.

Sipas AK-së shumë prej të punësuarve si anketues nuk kanë kualifikimin e duhur arsimor për të qenë pjesë e këtij procesi, sipas parametrave të kërkuar nga BE.


“-Census-i po zhvillohet në kushtet e një atmosfere dhe rrethanash falsifikimi 20 vjeçar të ndryshimit të kombësisë nga mijëra shqiptarë.

-Census-i po manipulohet thellësisht në mungesën totale të transparencës nga INSTAT i cili kontrollohet tërësisht në mënyrë politike.

-Census-i në pjesën e pyetjeve për përkatësinë e grupit etno-kulturor bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese cka rrëzoi ligjin e gjëndjes civile për kombësinë.

Përqindja e familjeve që po refuzojnë regjistrimin vjen gjithnjë në rritje dhe AK falenderon publikisht mbarë popullin Shqiptar që në mënyrë masive po respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke "u treguar derën" dhunuesve të ligjit",
Kërcënimet me sanksione dhe gjoba për qytetarët mbeten thjesht në nivelin e propagandës politike, pasi ato duhet të vendosen ndaj dhunuesve realë të këtij procesi, regjistruesve dhe INSTAT që po përpunojnë në mënyrë abuzive të dhënat personale të qytetarëve në kundërshtim të hapur me dispozitat e Ligjit "Për mbrojtjen e të dhënave personale"”, thuhet në deklaratën e AK-së. /albeu.com/
Shtuar më 04/10/2011, ora 11:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori