Mrekullia Amsera
Amsera Reka, 5 vjeçe, po luante me kukulla të dielën pasdite, në një dhomë të Spitalit të Prizrenit. Një natë më parë, ajo u nxor nga gërmadhat teksa ishte strukur në gjoksin e nënës së vdekur. Deri më tash, Amsera është e mbijetuara e vetme e Tragjedisë së Restelicës, ku nëntë persona vdiqën si pasojë e një orteku bore, derisa një 20 vjeçar dyshohet se vazhdon të jetë nën gërmadha.

Jetonin afër njëri tjetrit. Por, nuk janë më. Nëntë pjesëtarë të familjes Reka vdiqën për një ditë. Ata i zuri brenda shtëpive një ortek i borës i ardhur nga bjeshka sipër shtëpive. Nën rrënoja dyshohet se gjendet edhe një djalë i ri, raporton “Express”.

Vetëm një natë më parë ata kanë arritur ta nxjerrin të gjallë një vajzë pesë vjeçe. Amsera është vajza e Avdullah (30) dhe Garka (29) Rekës, të cilët kanë vdekur. Bashkë me ta ka humbur jetën edhe Amari, djali i tyre dy vjeçar. Përveç këtyre, në këtë tragjedi kanë vdekur Fehim (57) Zekia (54), Rexhep (58), Fatima (58) Seldin (17) dhe Resmina (20), binjake me djalin që supozohet se gjendet nën rrënoja. Përveç shtëpive të vëllezërve Reka, kanë pësuar edhe gati njëzet shtëpi që gjenden në lagjen me të skajshme të fshatit, mirëpo në to nuk banonte askush.

Tash Amsera gjendet e shtrirë në spitalin e Prizrenit dhe mjekët tregojnë se është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Sipas mjekëve, kur e kanë dërguar në spital vetëm ishte pak e ftohur, përndryshe analizat që ia kanë bërë i kanë dalë shumë mirë. E rrethuar nga dajët dhe të afërmit tjerë vogëlushja nuk e ka idenë se çka është duke ndodhur. Sipas një personi i cili prezantohet si daja i saj, Amsera nuk i përmendë as prindërit as vëllanë.

“Shoqet” e vetme që atë e shoqërojnë në spital janë dhjetëra kukulla që i ka renditur në shtrat. Megjithatë mendjen e ka të kthjellët. Di të tregojë për emrin dhe vjetët. Amserën në spital po e vizitojnë shumë njerëz. Të dielën nga Italia i erdhën edhe axhallarët, të vetmit familjarë të afërt që i kanë mbetur. Por, këtë vogëlushe të dielën e vizitoi edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kërkimet në fshat për të dielën kanë përfunduar në orën 16 pasdite për të vazhduar të hënën në kërkim të trupit të djaloshit. Ekspertë të KFOR-it austriak u kanë sugjeruar që të ndalojnë kërkimet për shkak se ekziston rreziku nga shembja e ndonjë orteku tjetër.

Në këtë operacion janë të angazhuar qindra pjesëtarë të FSK-së, Policisë, KFOR-it dhe shumë banorë të fshatrave të Dragashit.
Shtuar më 13/02/2012, ora 09:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori