Mposhti COVID-19, Basha flet për vdekjen e papritur të Memës: Jam i tronditur
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ngushëlluar familjen Mema pas humbjes së papritur të kryetarit të degës së PD në Sarandë, Hariz Memës.

Basha zbulon se Mema e kishte fituar betejën me Covid-19, ndërsa sot pësoi një atak në zemër.

“Lajm i pabesueshëm ndarja nga jeta e mikut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë Hariz Mëma. Jam i tronditur dhe pikëlluar pa fund kur mora lajmin se rruga e tij u ndërpre sot papritur, dhe turravrapi i tij i zakonshëm u ndal përgjithmonë, pikërisht teksa ishte në kulmin e energjisë dhe dinamikës së tij të pandalshme”, shkruan Basha në rrjetet sociale.

Mesazhi i plotë i Bashës

Lajm i pabesueshëm ndarja nga jeta e mikut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë Hariz Mëma. Jam i tronditur dhe pikëlluar pa fund kur mora lajmin se rruga e tij u ndërpre sot papritur, dhe turravrapi i tij i zakonshëm u ndal përgjithmonë, pikërisht teksa ishte në kulmin e energjisë dhe dinamikës së tij të pandalshme.

Harizi fitoi betejën me Covidin por sot mori një goditje në zemër. Mendimet dhe lutjet e mija janë me bashkëshorten Teuta, vajzën Brikenën dhe dy djemtë Sinanin dhe Johanin, të cilëve ju gjendem pranë me gurin e rëndë të dhimbjes në zemër, me ngushëllimet e mija më të ndjera.

Kjo është një humbje e madhe për komunitetin e Sarandës ku ai ka dhënë kaq shumë si sipërmarrës, si kryetar i shoqatës Labëria, dhe një qytetar zemërmadh dhe i përkushtuar për komunitetin dhe bashkëqytetarët e tij.

Kjo është edhe një humbje shumë e rëndë për ne, për demokratët, ku ai prej dy mandatesh drejtoi me sukses degën e Sarandës, dhe për mua personalisht që kam humbur një mik të rrallë dhe bashkëluftëtarin e papepur të kaq shumë betejave. Do ta kujtojmë si përherë, fjalëpak e punëshumë, të vendosur, të dashur, të fortë dhe të qeshur.

U prehsh në paqe mik i shtrenjtë!
Shtuar më 16/02/2021, ora 15:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori