Prokurori Ylli Pjetërnikaj konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten më 27 prill 2023 vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Lezhës, Ylli Pjetërnikaj. Po ashtu u vendos të transferohen për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë katër çështje penale të hetuara nga subjekti, për të cilat u evidentua se ishte konstatuar e njëjta gjetje.

Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.

Gjatë seancës dëgjimore më 24 prill, Pjetërnikaj dha shpjegime mbi të ardhurat e familjes që kishin shërbyer në ndërtimin e një shtëpie në Tropojë, si dhe iu kërkuan sqarime për disa denoncime në kriterin e aftësive profesionale.

Pjetërnikaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe ka punuar si prokuror në Kukës, Shkodër Lezhë dhe në Tiranë. Ai është angazhuar në mësimdhënie në Fakultetin e Drejtësisë dhe në disa institucione arsimore private.