Pritet kthesa e madhe në Ukrainë, ish-drejtor i CIA-s zbulon “sekretin”: Çfarë dërgoi tani Perëndimi në front

Nga Francesco Semprini “La Stampa

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Muajt e ardhshëm unë pres të shoh një kundërofensivë të re të ushtrisë ukrainase, e cila do të sjellë çlirimin e territoreve të tjera në jug të vendit”. Kështu shprehet në një intervistë për gazetën italiane, David H.Petraeus, gjeneral i ushtrisë amerikane, një veteran lufte dhe ish-drejtor i CIA-s.

Zoti Petraeus, cili është leximi që i bëni situatës aktuale në Ukrainë?

Ndonëse linjat e betejës janë karakterizuar nga njëfarë qëndrimi statik muajt e fundit, ku Rusia dhe Ukraina janë përqendruar kryesisht në përforcimin e linjave të tyre, unë besoj se në të ardhmen e afërt do të shohim një kundërsulm të ri nga forcat e Kievit.

Synimi do të jetë çlirimi i pjesëve të tjera të territorit në jug të vendit, që janë pushtuar nga trupat e Moskës që në muajt e parë të konfliktit. Realiteti është se presidenti rus Vladimir Putin po përballet me një sfidë shumë të vështirë. Ukraina ia ka hequr nga duart iniciativën strategjike Rusisë, dhe forcat e saj tani janë më të mëdha në numër dhe më të afta se ato të Moskës.

Kievi ka arritur ta mobilizojë të gjithë popullsinë dhe deri më tani është shfaqur në mënyrë të përsosur sa i përket reagimit në terren, udhëhequr nga lidershipi pozitiv i presidentit Volodymyr Zelensky, i cili është disi i frymëzuar nga ai i Ëinston Churchill. Aq sa e ka nxitur çdo ukrainas të mobilizohet, në një mënyrë a tjetrën, dhe të japë kontributin e tij në mënyrë që kombi të fitojë luftën për pavarësinë e tij.

Pra, pavarësisht se u sulmuan, a ishin ukrainasit më të aftë?

Ukraina ka bërë shumë më mirë sesa Rusia, veçanërisht në rekrutimin, trajnimin, pajisjen, organizimin dhe vendosjen gjithnjë e në rritje të forcave në terren. Sigurisht e ndihmuar jashtëzakonisht nga Shtetet e Bashkuara, vendet e NATO-s dhe partnerët e tjerë perëndimorë. Dhe për momentin duket se Putin nuk mund të bëjë asgjë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Mobilizimi i tij pjesshëm detyroi shumë burra të largohen nga vendi, në vend se t’u drejtoheshin zyrave të rekrutimit, edhe pse Rusia ka ende në dispozicion qindra mijëra zëvendësues. Megjithatë, këta janë rekrutë të trajnuar relativisht dobët, jo të pajisur siç duhet dhe të pa motivuar.

Duke parë përpara, çfarë roli do të luajnë armët perëndimore në këtë konflikt?

Armatimet perëndimore do të vazhdojnë të luajnë një rol vendimtar në sigurimin e epërsisë së forcave ukrainase ndaj atyre ruse. Në veçanti, armët dhe municionet nga Shtetet e Bashkuara, si dhe forma të tjera të ndihmës ushtarake të dhëna Kievit, kanë qenë deri më sot marramendëse për sa i përket sasisë.

Vetëm Amerika ka dhënë deri tani më shumë se 25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga fillimi i pushtimit brutal rus. Edhe vende të tjera të NATO-s dhe perëndimore e kanë furnizuar Kievin me sasi të mëdha armësh. Së fundmi, ligji i ri miratuar nga SHBA-ja në dhjetor 2022 do të garantojë një rrjedhë të mëtejshme të vazhdueshme dhe të fuqishme të ndihmës ushtarake.

Cilat armë do të bëjnë diferencën?

Disa armë në veçanti, siç janë raketat me rreze 80 kilometra, sasia e madhe e municioneve të artilerisë së rëndë (rreth 1 milionë fishekë) dhe pjesëve të rënda të artilerisë, sistemet e avancuara balistike dhe të mbrojtjes ajrore, dhe së fundmi automjetet e blinduara dhe avionët luftarakë, për të cilat janë angazhuar Franca dhe Gjermania.

E përsëris, këto janë sasi të jashtëzakonshme dhe unë kam besim se ndihma do të vazhdojnë me këtë përmasa edhe gjatë këtij viti, kur unë shpresoj që të shohim furnizimin e trupave ukrainase me dronë të tjerë modernë, dhe me raketa me precizion të lartë dhe me rreze më të gjatë, tanket gjermane “Leopard II” dhe sisteme të tjera anti-dron.

Përveç këtyre?

Nuk duhet të harrojmë as rëndësinë e sanksioneve financiare, ekonomike dhe individuale të vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë dhe rrethit të vogël të zyrtarëve, oligarkëve dhe ushtarakëve pranë Putinit, si dhe bllokadës ndaj eksporteve.

Sepse nuk do të ketë negociata kuptimplota derisa shefi i Kremlinit ta pranojë se lufta nuk është vetëm e paqëndrueshme në fushën e betejës, duke pasur parasysh humbjet e njerëzve të pësuara, por as politikisht e paqëndrueshme në frontin e brendshëm.

Edhe pse Putini e gënjen veten se ai dhe populli i tij mund t’u shkaktojnë më shumë vuajtje ukrainasve, evropianëve dhe amerikanëve, ashtu si Cari dhe BRSS mundën dikur ushtritë e Napoleonit dhe Adolf Hitlerit, unë besoj se ky vlerësim do të jetë i pasaktë.

Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që kjo të jetë kështu.

A ekziston rreziku që Rusia të reagojë ndaj kundërsulmit të ri, duke nisur një luftë asimetrike nëpërmjet përdorimit të taktikave terroriste?

Ukrainasit po i cilësojnë si “taktika terroriste” të përdorura pa kriter nga rusët të raketave dhe dronëve të dërguar nga Irani, duke synuar infrastrukturën kritike të ujësjellësve dhe energjisë elektrike, pra objektivat civile. Fushata e kryer nga Moska është e dënueshme.

Thënë kjo, unë mendoj se do të jenë forcat dhe aftësitë konvencionale, ato që do të përcaktojnë rrjedhën e luftës. Prandaj është sërish e nevojshme që ne të bëjmë gjithçka që kemi mundësi për të siguruar që Ukraina – dhe demokracia e saj, aq e papërsosur siç është – të dominojë mbi Rusinë dhe regjimin e saj barbar dhe kleptokratik. /albeu.com


Shtuar 12.01.2023 09:24