Moisiu: Pse duhet të ndryshojë Kushtetuta
Pëlqej
Ka tre vite që ka lënë zyrën e kreut të shtetit, por Alfred Moisiu nuk ndalon. Ish-Presidenti i Shqipërisë, sëbashku me paraardhësin e tij në këtë detyrë, Rexhep Meidani, kanë vendosur të ndërhyjnë aktivisht në jetën politike. Pasi kanë pasur mundësinë ta shohin politikën dhe shtetin nga brenda, dhe tanimë nga distanca, që të dy janë të bindur se një ndërhyrje në Kushtetutë është e domosdoshme.

Nuk kanë realizuar deri më tani asnjë kontakt me partitë politike kryesore dhe as nuk kanë marrë ndonjë “bekim” zyrtar nga diplomacia perëndimore, por dy ish-presidentët, siç do të ndodhte në çdo vend europian, kanë vendosur t’u tregojnë qytetarëve idetë e tyre për organizimin e shtetit. Në një intervistë për gazetën “Mapo”, z.Moisiu zbulon detaje nga nisma që nënkupton organizimin e një forumi intelektualësh, me qëllim shkëmbimin e mendimeve mbi gjendjen politike të vendit.

Dhënia fund e tranzicionit dhe siç thotë ish-Presidenti Moisiu, dalja nga qerfulli ku ndodhemi, mbetet synimi primar i kësaj nisme. Në Kushtetutë, thotë ai, duhen ndryshuar ato gjëra që hapin shtigje për të krijuar kriza politike, si dhe të vendosen klauzola dhe rregulla të tilla që t’i krijojnë mundësi Kryetarit të Shtetit për t’i zgjidhur ato, pa qenë nevoja e ndërkombëtarizimit të tepruar të problemeve. Në vlerësimin e Moisiut, Kushtetuta nuk duhet të lejojë monopolizim fuqish nga asnjë degë e pushtetit, pra duhet të sigurojë zbatimin e parimit shumë të njohur “check and balance”.

Z.Moisiu, ju pritet të propozoni sëbashku me z. Meidani, ndryshimin e dokumentit themeltar të shtetit. Pse erdhi kjo nismë?

Më duhet ta sqaroj më mirë këtë çështje. Unë dhe Meidani po punojmë për të organizuar një forum intelektualësh, me qëllim që të shkëmbejmë disa mendime lidhur me gjendjen politike të vendit tonë, duke rekomanduar disa zgjidhje të mundshme, për të dalë nga ky qerfull që po na mundon dhe pengon që prej 20 vitesh. Problemet që shtrohen për t’u zgjidhur ose ndryshuar, për të rregulluar performancën e politikës shqiptare, janë të ndryshme dhe të shumta. Sipas mendimit tim, një nga më të rëndësishmet do të ishte edhe Kushtetuta jonë. Kuptohet që ligji themeltar është ai që ta hap ose ta mbyll rrugën për zgjidhjen e problemeve, por që njëkohësisht mund të hapë shtigje për kriza dhe konfuzione politike, të cilat për fat të keq politikanët tanë i kanë shumë për zemër. Ky është një problem shumë i madh dhe i rëndësishëm dhe kërkon mosngutje dhe ekspertizë të mirë. Sipas meje, zhvillimet tona tregojnë se ka vend për të kërkuar ndryshime në dokumentin themeltar të shtetit, mbase duke filluar që nga mënyra e zgjedhjes së Presidentit.

A jeni konsultuar me partitë politike kryesore dhe a besoni se do të gjeni mbështetje për të miratuar ndryshimet Kushtetuese?

Mënyra sesi po ma shtroni pyetjen, po më befason. Unë e di shumë mirë që ndryshimet kushtetuese kanë rregullat e tyre sesi duhen bërë, por kjo nuk më ndalon as mua as këdo nga qytetarët shqiptarë, që të ngremë një shqetësim dhe të sugjerojmë mënyrën sesi mund të zgjidhet ai ose sesi mund të dilet nga situatat tona politike, që po i ngjajnë një cikli përsëritës të ngatërresave. Rrjedhimisht nuk ka pse të bëhen konsulta paraprake me askënd. Problemet që do të shtrohen nga Forumi, si dhe sugjerimet që do të bëhen, do të jenë të hapura, në mënyrë që t’i dëgjojë kushdo dhe secili të veprojë ashtu si e mendon, por duke llogaritur edhe koston politike që secila palë do të merrte për çdo veprim jo adeguat. Mendoj se partitë politike shqiptare janë formuar për të lehtësuar zgjidhjet politike dhe udhëheqjen e vendit tonë. Pra ato gjithashtu duhet të jenë të ndjeshme ndaj zërit qytetar dhe intelektual të vendit, ndryshe do të paguajnë haraçin në procesin e votimit. Sepse votuesi shqiptar çdo ditë që kalon, po bëhet më i ndërgjegjshëm për rolin dhe rëndësinë që ai ka në vendosjen e fateve kryesore të vendit.

Çfarë propozoni konkretisht që të ndryshojë në Kushtetutën e Shqipërisë. Shumë çështje janë debatuar deri më tani për ndryshime të mundshme....

Tani për tani nuk mund të them gjëra konkrete sepse mendimet dhe sugjerimet tona ende do të përpunohen për të dalë në përfundimet e duhura, gjë e cila do të kërkojë kohën e nevojshme për një ndërmarrje të tillë, por mendoj se ka gjëra që duhen ndryshuar. Në përgjithësi gjykoj se në kushtetutë duhen ndryshuar ato gjëra që hapin shtigje për të krijuar kriza politike, si dhe të vendosen klauzola dhe rregulla të tilla që t’i krijojnë mundësi Kryetarit të Shtetit për t’i zgjidhur ato, pa qenë nevoja e ndërkombëtarizimit të tepruar të problemeve. Gjithashtu, Kushtetuta nuk duhet të lejojë monopolizim fuqish nga asnjë degë e pushtetit, pra duhet të sigurojë zbatimin e parimit shumë të njohur “check and balance”. Kultura jonë politike është embrionale, kemi ende shumë ndikim nga remineshencat e së kaluarës, kështu tundimi për të pasur pushtet të pakufizuar është shumë i rrezikshëm për një demokraci të re si kjo e jona. Përvoja negative e këtyre viteve të shkuara duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht për këto rreziqe. Porositë shumë të vlefshme të BE-së ruani demokracinë duhen vlerësuar. Demokracia sot nuk mbrohet dhe ruhet me armë, por me ligje që nuk lejojnë shpërdorimin e saj dhe për këtë ligji themeltar është Kushtetuta. Pikërisht këto gjëra nuk mund të injorohen.

Nëse do të dështoni në garantimin e mbështetjes në Kuvend, cili do të jetë reagimi juaj për të çuar deri në fund këtë aksion?

Ne shpresojmë të mos dështojmë, pasi qëllimi i ynë nuk është imponimi por arsyetimi për të bindur si opinionin publik ashtu edhe politikanët tanë për ato gjëra që duhen zgjidhur. Mendoj se edhe politikanët nuk duhet të jenë aq të kënaqur dhe të gëzuar, që çdo dy tre vjet vendi të futet në kriza të cilat as ndërkombëtarët, por edhe ne vetë, nuk po i kuptojmë pse duhen krijuar dhe maisur deri në atë shkallë, sa të krijojnë përshtypjen që ne paskemi qenë një popull që nuk duam rregull dhe qetësi. Këtë gjë unë nuk e besoj dhe nuk e pranoj për popullin tim, por këto zhvillime kërkojnë një shpjegim. Mua më duket që ne shqiptarët duhet të jemi më të kujdesshëm në zgjedhjen e njerëzve në drejtim, duhet të arrijmë, ashtu si gjithë Europa, që “Personin e duhur ta vendosim në vendin e duhur”.

A keni pasur konsultime me faktorin ndërkombëtar në lidhje me propozimet që po ndërmerrni?

Gjithmonë e kam respektuar dhe e respektoj faktorin ndërkombëtar, për atë që kanë bërë dhe po bëjnë për vendin tonë, por kjo nuk do të thotë se për çdo gjë duhet, që para se të fillojmë diçka duhet patjetër të marrim mendimin e tyre. Ky vend është i yni dhe ne jemi vend i pavarur. Ne njohim kërkesat e demokracisë dhe standardet europiane ku po synojmë të integrohemi, pikërisht këtë duam të bëjmë që t’i përshtatemi këtyre standardeve si duhet. Ndihma dhe mbështetja e tyre sigurisht do të na duhet, si për të shkëmbyer përvojën me ta, ashtu edhe për të konsoliduar mendimet dhe rrugët që duhen ndjekur për arritjen e qëllimeve, por çdo gjë në kohën e duhur.
Shtuar më 22/11/2010, ora 11:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori