Me maskë të zezë, Rama gati për takimin mes palëve
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pak minuta më parë në Pallatin e Kongreseve ku do të mblidhet Këshilli Politik, që mes të tjerave do të diskutohen dhe ndryshimet e propozuara në Kushtetutë.

Në takim, do të diskutohet mbi propozimin e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimin e dy neneve në Kushtetutë.

Përmendim se deputetët e rinj në Parlament dhe maxhoranca, kërkojnë që të heqin koalicionet parazgjedhore, vendosjen e një pragu kombëtar dhe hapjen e pjesshme të listave.

Nisma në Parlament është kundërshtuar fort nga ndërkombëtarët dhe opozita e bashkuar. Ndërkohë, pas rreth 10 ditësh akuza dhe kundërakuza në distancë, palët ranë dakord që të rimblidhen sot në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore.

Nga maxhoranca, përveç Damian Gjiknurit që përfaqësonte më herët Partinë Socialiste në Reformën zgjedhore, do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, nga opozita e bashkuar nuk do të jetë kryedemokrati Lulzim Basha, por sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Po ashtu, do të ketë më shumë përfaqësues edhe nga opozita parlamentare. Përveç Rudina Hajdarit, e cila ka qenë pjesë edhe më herët e tryezës, do të bashkohet edhe Myslim Murrizi. Ai u propozua që të zëvendësonte më herët Rudina Hajdarin nga tri grupe parlamentare të opozitës në Parlament.
Shtuar më 20/07/2020, ora 11:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori