Miku i Berishës sulmon Ramën: Ndërhyrja në Maqedoni, e papranueshme!
Kryeministri hungarez, Viktor Orban gjatë një vizite në Shkup ka kritikuar qeverinë shqiptare dhe Edi Ramën për ndërhyrje në politikën e brendshme në Maqedoni duke e quajtur të papranueshme.

“Hungaria do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë. Ndërhyrjet e Tiranës janë të papranueshme”, deklaroi Orban.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov e falenderoi kryeministrin hungarez për kërkesën që ky vend ka ngritur në Bruksel, që Bashkimi Europian të dënojë Shqipërisë se po fut hundët në politikën e vendit fqinj.

Në fakt, pak ditë më parë ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijarto (i cili ka qenë pak kohë më parë edhe në vizitë zyrtare në Tiranë) deklaroi se Hungaria do të kërkojë nga vendet e tjera të BE-së që të dënojnë “platformën shqiptare” për krijimin e një qeverie të re në Maqedoni.

Kreu i diplomacisë hungareze e mbajti këtë qëndrim gjatë punimeve të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE në Bruksel. Sipas mediave maqedonase, ministrat e Jashtëm austriak dhe grek, Sebastian Kurz dhe Nikos Kotzias janë të gatshëm ta dënojnë publikisht atë që nga Shkupi zyrtar po quhet “Platforma e Tiranës”, shkruan GSH.al.

Në fakt, ministri i Jashtëm austriak e shpalli hapur mbështetjen e tij për Nikolla Gruevskin kur pranoi të bënte fushatë elektorale për kryeministrin maqedonas vetëm pak orë para ditës së votimit.

Ajo që quhet “platforma e Tiranës”, sipas Gruevskit është bashkimi i partive shqiptare për të mbështetur Zoran Zaev, sipas udhëzimeve konkrete të Tiranës zyrtare.

KUSH ESHTE VIKTOR ORBAN

Kryeministri i Hungarisë është një politikan kontrovers, metodat e tij jo fort demokratike dhe vokacioni pro-rus, shkakton shqetësim konstant në Bruksel. Ai është një anti-Sorosist i tërbuar. Por, po t’i besosh ish-kryeministrit Berisha, ai është një “pro-shqiptar i shquar”.

Berisha e ka takuar disa herë Orbanin, edhe pasi la detyrën në krye të ekzekutivit. Ja ç’shkruan ai pas një takimi me kryeministrin e Hungarisë në vitin 2014.

“Të dashur miq, sot paradite u prita në një takim nga miku im i shquar dhe i shqiptarëve, Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Në këtë takim diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, përpjekjet e Partisë Demokratike për të mbrojtur dhe zhvilluar vlerat e demokracisë në vend, revanshin e egër të qeverisë ndaj opozitës dhe institucioneve të pavarura, zëvendësimin e shtetit ligjor me shtetin policor, recesionin dhe kolapsin ekonomik si dhe lidhjet e ngushta të mazhorancës me krimin e organizuar.

Në takim i diskutua gjerësisht mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekzistues të rëndësishëm të partive tona simotra.

Unë shfrytëzova rastin për t’i shprehur kryeministrit Orban dhe qeverisë së tij mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian si dhe Partisë Demokratike në përmbushjen e misionit të vet.

Takimi ishte i hapur dhe i përzemërt”, shkruante Berisha në “Facebook” më 15 dhjetor 2014./albeu.com/


Shtuar më 21/03/2017, ora 12:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori