Greqia kërkon betimin e Belerit, ministri i Jashtëm i prerë: Të sigurohet procesi, brenda apo jashtë burgut

Ministri i jashtëm grek Jorgos Gjerapetritis ka reaguar sërish lidhur me refuzimin e kërkesës për masë më të butë sigurie nga Gjykata e Lartë për Fredi Belerin.

Sipas ministrit të Jashtëm grek ky vendim është negativ dhe ka paralajmëruar Shqipërinë të respektojë shtetin e së drejtës nëse do të jetë pjesë e familjes europiane. Gjithashtu Gjerapetritis i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të sigurojë betimin e menjëhershëm të Belerit brenda apo jashtë burgut.

“Ne do të vijojmë ta monitorojmë nga afër zhvillimin e kësaj çështjeje dhe do ta ngrejmë në të gjitha forumet nderkombëtare. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e familjes evropiane, duhet të respektojë me përpikëri parimet themelore të shtetit të së drejtë”, ka deklaruar kryediplomati grek për mediat vendase.

Fredi Beleri, u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve vendore. Ai ra në pranga për korrupsion pasiv në zgjedhje, me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, teksa ky i fundit u lirua në fillim të qershorit, për shkak të gjendjes shëndetësore. Avokatët kishin kërkuar një masë më të lehtë në rekursin e paraqitur në gjykatën e lartë, por trupi gjykues nuk i pranoi argumentet e tyre.