Mexhiti: Edhe Shkupi pjesë e 100-Vjetorit
Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka nderuar me mirënjohje për kontributin e shqiptarëve të Shkupit dhe të kryengritjeve të zhvilluara në këtë vend, kryetarin e Komunës Çair, Izet Mexhiti, duke i dhuruar një kopje nga botimi i ligjeve dhe akteve juridike të shtetit shqiptar.

Topalli ka mbledhur tok sot krerët e shumë komunave shqiptare brenda dhe tej kufirit shqiptar administrativ, për t’i nderuar me mirënjohje për kontributin e tyre kombëtar përgjatë njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, raporton "Zhurnal".

Në fjalën e rastit, Topalli ka shqiptuar lëvdata dhe vlerësime pozitive për kryengritjet e zhvilluara në Shkup, të zhvilluara në fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

"Në shenjë mirënjohje të thellë për kryengritjet e Shkupit, të atyre të viteve 1843-1844, kur 10 mijë kryengritës nën udhëheqjen e Dervish Carës ­çliruan Shkupin dhe shtruan kërkesën për autonomi. Por, po ashtu dhe për kryengritjet e 1910-1912 që përbëjnë fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e paraardhësit e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryengritjet e Shkupit ishin kryengritje lavdie", ka deklaruar Topalli.

Nga ana e tij, kryetari i Çairit dhe njëherësh nënkryetar i BDI-së, ka theksuar me këtë rast se Shkupi është njëri kënd prej trekëndëshit barabrinjës shqiptar, krahas Vlorës dhe Prizrenit.

"Këto ditë kur gjithë shqiptaria është në këmbë dhe është këndellur për ta shënuar njëqindvjetorin e shtetit shqiptar, jam i nderuar të konstatoj se në këtë përvjetor shteti shqiptar, por edhe shteti i ri i Kosovës, pas një pauze të vetëkuptueshme për shkak të problemeve të së kaluarës, po i kthehet njëmend rëndësisë që kanë shqiptarët e Maqedonisë. Ne para ca ditësh morëm vlerësimet më të sinqerta e miqësore nga kryeministri Berisha për kthimin e Hasan Pristinës në Shkup, ndërsa gjithnjë jemi në kontakt me krerët kosovarë, ashtu që me kënaqësi mund të konstatoj se jo vetëm që nuk ndjehemi të anashkaluar në këtë përvjetor të madh të pavarësisë, por ndjehemi madje të privilegjuar dhe të nderuar. Për këtë dëshmon edhe kjo ditë në Tiranë", ka theksuar Mexhiti.

Ai ka falënderuar kryeparlamentaren Topalli për ftesën e bërë dhe ka përcjellë përgëzimet e shqiptarëve të Maqedonisë për festën e 100-vjetorit.

Në aktivitetin e organizuar në Tiranë kanë qenë të pranishëm edhe personalitete të jetës politike, akademike e kulturorë të Shqipërisë. /albeu.com/
Shtuar më 19/10/2012, ora 14:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori