Punonjësit e karburantit në Lezhë bëjnë për spital 37-vjeçarin

Një përleshje fizike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në ambientet e një karburanti në Lezhë, pranë Kryqëzimit të Tales.

“Në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë – Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, janë përfshirë në konflikt fizik dhe me mjete të forta, shtetasi kosovar M. M. 37 vjeç me dy shtetas shqiptarë ( punonjës te karburanti) N. S. 61 vjeç banues në Lezhë dhe K. R. 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Si pasojë e konfliktit ka mbetur i dëmtuar fizikisht shtetasi kosovar M. M. i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga patrulla e policisë, ndërsa shtetasit N. S. dhe K. R. janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë.

Gjithashtu, gjatë konfliktit, nga këta shtetas janë dëmtuar edhe ambientet e zyrës së qëndrimit të punonjësve të karburantit si dhe automjeti i shtetasit kosovar.

Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve dhe sqarimit të situatës, do të jepet një njoftim i dytë sqarues./Albeu.com.


Shtuar 5.08.2023 20:49