Hyri fshehtas në Shqipëri, gjarpri kafshon emigrantin ilegal në Devoll

Një gjarpër ka kafshuar një emigrant ilegal nga vendet e Lindjes në Shqipëri. Mësohet se emigrant kishte hyrë ilegalisht në territorin shqiptar.
Ai është pickuar nga gjarpri teksa po ecte në periferi të fshatit Trestenik të Devollit. Tresteniku është një nga zonat më të frekuentuara nga emigrantët si një nga pikat kyçe që ndjekin për të hyrë në vendin tonë dhe më pas të kalojnë drejt vendeve të BE.

Emigranti është gjetur nga një banor i zonës, i cili më pas ka lajmëruar policinë. Banori ka gjetur dy emigrantë në fshat, njëri prej të cilëve kishte shfaqur probleme shëndetësore. Policia dhe ambulanca kanë shkuar menjëherë pranë vendit të ngjarjes. Të dy emigrantët u transportuan në spitalin e Bilishtit, ndërsa konfirmohet se njëri prej tyre është kafshuar nga gjarpri.

Pas ndihmës mjekësore ne spitalin e Bilishtit, dy emigrantët jane dërguar në spitalin e Korçës për mjekim më të specializuar./albeu.com/