Meta i ka dhënë nënshtetësinë një të dënuari? Vjen reagimi nga presidenca

Zëdhënësi i Presidentit të vendit, Tedi Blushi ka vendosur tu përgjigjet të gjitha akuzave lidhur me lajmin se presidenti i shtetit i ka dhënë nënshtetësinë, personave të dënuar për vrasje.

Blushi sqaron përmes një postimi në rrjetet sociale, se Meta ka marrë në konsideratë kërkesën e institucioneve më të larta në Kosovë, ku ky shtetas rezulton që të jetë i padënuar. Presidenca i konsideron lajmet sajesa dhe shpifje, ndërkohë që fton organet e drejtësisë që të reagojnë sa më parë për të hetuar gazetarin që këto sajesa i thotë dhe në Komisionin e Sigurisë në Kuvend.

"Ky individ, prej kohësh duhej të ishte subjekt i drejtësisë shqiptare për shantazhin kriminal, presionin e ulët dhe ndikimin e paligjshëm, të bërë ndaj Drejtores së Arsimit në Kamëz, për punësimin e bashkëshortes së tij”, shkruan Blushi duke iu referuar gazetarit Adriatik Doçi.

Postimi i plotë i Blushit:

KryeDoçi i Malavitës, ky militant i përvëluar i “Rilindjes”, zhgarravitës ordiner në një media të dyshuar nga vetë zyrtarë të lartë të PS për financime të errëta, hodhi sot shpifje dhe akuza tepër të rënda, duke MASHTRUAR publikisht opinionin publik dhe më rëndë akoma, Institucionin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për rastin e marrjes së shtetësisë shqiptare të një ish-luftëtari të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS.

Sqarojmë se për rastin në fjalë, Presidenti i Republikës ka marrë në konsideratë kërkesën e titullarëve të institucioneve më të larta të RepublikësKosovës. Ky shtetas, referuar dokumentacionit zyrtar të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, çertifikuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Kosovës, rezulton I PADËNUAR.

Gjithashtu edhe nga Institucioni përgjegjës i Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, vërtetohet me shkresë zyrtare, se ky shtetas, NUK E CËNON SIGURINË KOMBËTARE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË.

I bëjmë THIRRJE PUBLIKE DHE I NXISIM me forcë të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe veçanërisht ato të drejtësisë, në Shqipëri dhe në Kosovë, të reagojnë MENJËHERË, për të izoluar, nisur menjëherë hetimet dhe për të vendosur PARA PËRGJEGJËSISË PENALE KryeDoçin e Malavitës dhe të “Rilindjes”, për të gjitha këto shpifje të ndyra dhe ordinere që meritojnë përgjigje të menjëhershme ligjore, për më tepër të bëra sot para Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.

Ky individ, prej kohësh duhej të ishte subjekt i drejtësisë shqiptare për shantazhin kriminal, presionin e ulët dhe ndikimin e paligjshëm, të bërë ndaj Drejtores së Arsimit në Kamëz, për punësimin e bashkëshortes së tij.

Por ta harrojë se me këto mjete të fëlliqura shantazhi, presioni, shpifjesh ordinere dhe presione të ulta që po përdor sëfundmi dhe ndaj Institucioneve më të larta shtetërore, do të mund t’i shpëtojë drejtësisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë!

Ose të tregojë urdhëruesit dhe kush fshihet pas këtyre sulmeve ose përgjegjësia penale do të jetë vetëm mbi të!

Heronjtë dhe Dëshmorët e Kosovës dhe familjarët e tyre për këlyshët e UDB, terroristë quhen akoma, por për të gjithë shqiptarët ata janë familjarë të Heronjve, patriotëve dhe atdhetarëve.

DREJTËSISË NUK DO T’I SHPËTOJË ASKUSH QË KONSUMON VEPRA PENALE! PËR KËTË TË JENË TË QARTË TË GJITHË! ORA E PËRBALLJES PO AFRON!
Shtuar më 27/10/2020, ora 13:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori