Kosova ndaloi qarkullimin e makinave me targa ilegale serbe, reagon BE: Të zbatohet pa kushte marrëveshja e nëntorit

Pas vendimit të fundit të Kosovës, për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve me targa  ilegale serbe, të cilat janë regjistruar nga dhjetori i vitit të kaluar e tutje ka reaguar Bashkimi Evropian.

BE i ka bërë thirrje palëve që të respektojnë pa kushte marrëveshjet e arritura në nëntor.

“Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira që të respektojnë plotësisht dhe pa kushte marrëveshjet përkatëse të arritura më 23 nëntor, me të cilat Kosova dhe Serbia ranë dakord për masa specifike në lidhje me targat për të de-përshkallëzuar situatën dhe për t’u fokusuar plotësisht në propozimin e BE-së për normalizimin të marrëdhënieve të tyre”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për mediat e Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se kjo marrëveshje nënkupton që Kosova të përmbahej nga çdo veprim i mëtejshëm detyrues kundër pronarëve të automjeteve KM dhe të ruajë në mënyrë efektive status quo-në derisa çështja të zgjidhet në dialog në mënyrë të qëndrueshme dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja KM.

I pyetur se cili është qëndrimi i BE-së në këtë situatë dhe çfarë rekomandon Unioni për zgjidhjen e situatës, Stano theksoi se çdo pyetje për interpretimin e asaj që u ra dakord më 23 nëntor duhet të diskutohet në kuadër të dialogut dhe jo me veprime të pakoordinuara në terren, të cilat mund të destabilizojnë situatën e brishtë.

Ai shtoi se fokusi tani duhet të jetë në diskutimet e vazhdueshme për propozimin për normalizimin e marrëdhënieve.

“Suksesi i këtyre diskutimeve është thelbësor për rrugën e integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë dhe paqen dhe stabilitetin në rajon – dhe të dyja palët duhet t’i trajtojnë ato si prioritet”, tha ai.


Shtuar 19.01.2023 16:47