Mësoni se cilat janë kriteret, datat dhe pagesat për të aplikuar në universitet
Kanë nisur dilemat e para për maturantët pas marrje së rezultateve të 4 provimeve të maturës.

Duke bërë llogaritë e para se nëpërmjet pikëve të grumbulluara nëse munden apo jo të fitojnë degën e preferuar, duket se dhe këtë vit , po njësoj si vitin e kaluar të parët për të zgjedhur e kanë të të drjtën nxënësit me 10 absolut.

Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe ajo e Rrjetit Akademik Shqiptar kanë hartuar një kalendar me afatet për çdo procedurë që ndjekin kandidatët për në universitete, që nga kryerja e pagesës e deri te regjistrimet finale në sekretaritë mësimore të fakulteteve (tabela brenda shkrimit).

Të rinjtë do të shprehin dëshirat e tyre nga data 31 korrik deri në 5 gusht, ndërsa deri në fund të gushtit do ta kenë marrë vesh nëse janë në listën e parë të fituesve. Fatlumët e parë zakonisht janë ata me dhjeta absolute.

Nxënësit gjithashtu shumë të mirë dhe ata me më pak pikë do të garojnë në gjashtë fazat pasuese të raundit të parë (gjithsej 7 faza regjistrimesh), nga 2-15 shtator.

Shanse të tjera për të rinjtë, por edhe për fakultetet që duan të realizojnë numrin e kuotave, ka në dy raundet pasuese të aplikim-regjistrimeve, të cilat zvilohen në fund të muajit shtator dhe fillim tetorit. Ndonëse auditorët hapin dyert në datën 14, regjistrimet me qëllim ezaurimin e kuotave do të vijojnë nga sekretaritë deri në datën 31 tetor.

KUSHTI I APLIKIMIT

Kusht primar për t’u bërë pjesë e garës në universitete, qoftë publike apo private, është kryerja e pagesës së tarifës prej 2 mijë lekësh. Trajektorja që duhet të ndjekin kandidatët për në universitet është shumë e thjeshtë.

Si fillim duhet të logojnë në portalin u-albania, me anë të cilit do të ndjekin gjithë ecurinë, nga aplikimi deri në regjistrimin në degën e fituar. Kjo gjë bëhet duke futur ID e Maturës dhe atë të kartës së identitetit, ku secili duhet të shkarkojë nga portali faturën e pagesës, të cilën mund ta kryejnë në postë ose bankë. E rëndësishme është që të ruani kodin, ndërsa mandatin e pagesës ta dorëzoni te mbikëqyrësja e shkollës, e cila do të hedhë në sistem notën mesatare.

Vetëm pas këtij procesi, portali i aplikimeve për degët e arsimit të lartë publik e privat është i hapur për të rinjtë. Para se të plotësojnë Formularin A2 këshillohet konsultimi me kriteret e pranimit në degët që preferojnë dhe kuotat për vitin e ardhshëm akademik. Po ashtu, nota mesatare dhe pikët e pranimit në vitin e kaluar janë një orientim shumë i mirë, edhe pse këto të fundit ndryshojnë në bazë të kërkesë-ofertës për një program të caktuar.
Shtuar më 05/07/2019, ora 10:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori