Kreditë e lehtësuara për mjekët, policët dhe ushtarakët, hapen aplikimet në e-Albania, si të përfitoni

Janë hapur aplikimet për kreditë e lehtësuara për mjekët, policët dhe ushtarakët e rinj.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se e-Albania ofron shërbimin e dedikuar për kreditë e lehtësuara për 300 punonjësit e parë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe mjekët që do të përfitojnë nga ky program i ri mbështetjeje për familjet e reja të këtyre tre kategorive.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se sistemi i aplikimit për këtë program tashmë është finalizuar dhe ky shërbim mundësohet që prej ditës së sotme në portalin e-Albania.

Apliko këtu

Numri i përfituesve për vitin 2023 do të jetë 300 në total, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për tre kategori, konkretisht: 100 për mjekët e sistemit shëndetësor; 100 për punonjësit e Policisë së Shtetit; 100 për ushtarakët e Forcave të Armatosura.

Programi i strehimit social për kreditë e lehtësuara për blerjen e banesës për punonjësit e administratës u bë i mundur falë ndryshimeve në ligjin “Për strehimin social” të cilat u miratuan nga Kuvendi i Shqipërisë në qershor 2023. Këto kredi do të përfitohen me interes 0% për kategoritë e mësipërme.


Shtuar 16.09.2023 11:26