Mero Baze: Perëndimi s'i ha shantazhet e Ramës
Mero Baze
Për herë të parë, kancelaritë perëndimore kanë komentuar si shqetësuese një deklaratë të Edi Ramës, rreth mundësisë së Bashkimit Kombëtar nëse integrimi i Kosovës dhe i Shqipërisë shtyhet pafundësisht për në Bashkimin Evropian. Reagimet edhe pse janë të përmbajtura, janë qortime të pastra për gjuhën e kryeministrit shqiptar, i cili nga ana e vet nuk ngjan shumë i shqetësuar nga reagimi.

Por çfarë po ndodh në të vërtetë?

Ky është rasti tipik kur Perëndimi më shumë sesa nga veprimet është i shqetësuar nga retorika e bashkimit dhe nga rreziku i institucionalizmit të saj si opsion, nëse dështon integrimi në Bashkimin Evropian. Për Perëndimin Edi Rama është i pabesueshëm si nacionalist, edhe kur përpiqet të zgjedhë fjalë të forta për të thënë në adresë të Bashkimit Kombëtar. Më së shumti Edi Rama shihet si një lider grindavec që bën sherr, po nuk mori atë që kërkon. Edhe deklarata e fundit është lexuar në këtë mënyrë.

Por, këtu qëndron dhe problemi!

Për të shkuar drejt Bashkimit Evropian, Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të presin vetëm mbështetjen e Evropës, por duhet të ndryshojnë dhe vetveten. Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është një destinacion, por një proces ndryshues i vetvetes për t’u bërë evropian. Nëse Kosova dhe Shqipëria dështojnë vetë të bëhen shtete me standarde evropiane, nuk mund të kërcënojnë Evropën. Retorika kundër Evropës si “kurvë plakë” ka marrë fund me patriotët folklorikë.

Është e vërtetë që ka një izolim ndërkombëtar të Kosovës dhe një përpjekje për t’i trajtuar ata si geto në mes të Evropës. Liberalizimi i vizave u është mohuar vetëm 2.5 milionë shqiptarëve në Kosovë dhe hapat drejt integrimit po ashtu janë futur në një rrugë pa shumë shpresa. Por rruga e duhur për të çuar punën përpara nuk është shantazhimi i Evropës, qoftë dhe për arsyen e vetme se Perëndimi nuk i ha shantazhe të tilla. Ato mund të shërbejnë më së shumti për karburant euforie, në makinat e prishura të Qeverisë në Tiranë dhe Prishtinë, por jo si shantazhe reale ndaj Evropës.

Thjesht, Perëndimi e di se Edi Rama dhe Hashim Thaçi janë hallexhinj, por jo nacionalist. Ata kanë provuar të punojnë me të në marrëveshje të vështira, siç janë bisedimet shqiptaro-serbe dhe në njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

E gjitha merret thjesht si shantazh, por si shantazh nga dikush që duket sikur thotë “mbamëni se do ta qëlloj”. Është diçka që vetëm sa krijon polemika boshe pa asnjë vlerë dhe që nuk merret askund seriozisht, as atje ku thuhet as atje ku dëgjohet.

Shqipëria dhe Kosova duhet ta kenë të qartë përfundimisht se shtetin e dytë shqiptar në Ballkan e krijoi Perëndimi, në respekt të lirive njerëzore të shtypura aty. Nuk e krijoi nga presioni i Shqipërisë, por nga vendimi për të krijuar një standard lirie për një popullsi të shtypur në mes të Evropës.

Ky standard tani është në dorë të shqiptarëve për t’u respektuar. Nëse serbët nuk ia dolën dot për shkak të nacionalizmit të tyre të verbër, shqiptarët nuk mund të fajësojnë Evropën për dështimet e tyre. Ata e kanë në dorë ta bëjnë Shqipërinë dhe Kosovën një vend evropian. Nëse nuk ia dalin dot, bashkimi nuk është kurrfarë zgjedhje, pasi bashkimi i dy dështimeve është një dështim edhe më i madh. Bashkimi i dy sukseseve mund të na bëjë krenar si shqiptar.


Shtuar më 11/04/2015, ora 17:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori