Mickoski hedh poshtë ofertën e Artan Grubit, që VMRO të mbështes ndryshimet e Kushtetutës

Artan Grubi ofroi, Hristijan Mickoski refuzoi. Lideri i VMRO-DPMNE-së nuk e pranoi ofertën e zëvendëskryeministrit të BDI-së, i cili kërkoi nga VMRO-ja të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës për regjistrimin e bullgarëve dhe menjëherë pas kësaj të shpërndahet Kuvendi dhe të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas Mickoskit, VMRO-ja ka kërkuar nga qeveria që të përfshihet në negociatat për propozimin francez, por është refuzuar, kështu që tani nuk ka arsye të kërkohet një shërbim i këtillë prej tyre.

“I kemi dëgjuar ato propozime nga qeveria e BDI-së të përkrahur nga LSDM në të kaluarën. I kemi paralajmëruar, mos merrni përsipër obligime që nuk do mund  t’i përmbushni, por pavarësisht kësaj ata e zhytën Maqedoninë në një pasiguri të madhe…”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Në këtë kontekst, Mickoski sot doli me propozimin e tij politik në Qeveri, pasi siç tha ai është i vetëdijshëm se Maqedonia ka një problem real në aspektin e integrimeve evropiane.

“…Prandaj kam një kundërpropozim për ta, të mos е shqetësojnë opinionin maqedonas, të mos vjedhin, të inkurajohen edhe nëse mendojnë se kanë bërë mirë vitet e kaluara dhe muajt e kaluar. Ја në maj, nuk duhet të kemi qeveri teknike për 100 ditë, edhe këtë ua mundësojmë, që të shkojnë në zgjedhje dhe çdo parti politike të mund të ofrojë zgjidhje për problemin në të cilin e kanë zhytur Maqedoninë”, shtoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, LSDM-ja në pushtet, më herët komentoi se Mickoski kapitulloi në temën e zgjedhjeve të parakohshme për shkak se me votimin e 65 deputetëve në Kuvend, u konfirmoua rritja e shumicës parlamentare të LSDM-së dhe koalicionit. /Alsat.mk