Me logo "KF Elbasani", dalin fotot e trafikantëve që u kapën me 617 kg kokainë

Një sasi rekord prej 617 kg kokainë është kapur brenda një kamioni në Brazil vetëm dy ditë më parë teksa autoritetet bëjnë me dije se janë arrestuar deri më tani drejtuesi i mjetit, bashkë me 4 persona të tjerë që dyshohen si shoqërues të lëndës narkotike.

Sot, mediat e huaja kane publikuar fotografinë e katër personave të arrestuar nga autoritetet braziliane. Të arrestuarit janë: P. O. O. C. 24 vjeç; M. A. P. 49 vjeç; N. P. 52 vjeç dhe J. C. G. A. 40 vjeç.

Droga kishte destinacion kryesisht vendet europiane përfshirë edhe Shqipërinë, ndërkohë mbeten ende të paqarta rrethanat pse është përdorur logoja e klubit të futbollit të Elbasanit në pakot e lëndës narkotike.

Sipas një përllogaritje paraprake, vlera e kokainës në treg arrin në 60 milionë dollarë ndërsa operacioni është zhvilluar në Gefron të Brazilit.

Mësohet nga mediat braziliane se mes të arrestuarve është edhe një grua ndërsa dy të tjerë, po shoqëronin kamionin me kokainë.

I pyetur nga autoritetet braziliane, shoferi i kamionit ka treguar se për transportimin e sasisë së madhe të kokainës, ishte paguar me 10 mijë dollarë ndërsa ka nisur puna për hetime më të hollësishme në zbulimin e plotë të prejardhjes së lëndës narkotike, destinacionin e saj si dhe lidhur me përfshirjen e personave të tjerë në këtë trafik.

Ndërkohë përderisa në pakot e kokainës është zbuluar se mbanin logon e ekipit shqiptar, shtohen dyshimet se në këtë trafik që duhet thënë se ka të bëjë me sasinë ndër më të mëdhatë që është sekuestruar ndonjëherë, të ketë edhe shqiptarë të përfshirë.

Vlen të përmendet edhe fakti se, sasia e drogës është kapur në fillim të Shtatorit të këtij viti, ndërsa kjo u bë e njohur për Shqipërinë nisur nga indiciet se droga kishte destinacion tregun europian dhe pakot në të cilat ishte mbështjellë mbanin logon e ekipit shqiptar. /albeu.com/
Shtuar më 03/10/2019, ora 13:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori