Kundërshtuan luftën në Ukrainë, gjykatat ruse dënojnë dy persona

Dy rusë u dënuan sot me burgim në rastet që lidhen me kundërshtimin e tyre ndaj luftës në Ukrainë: i pari për mesazhe mbështetjeje për Kievin dhe i dyti me akuza se donte të luftonte në anën e ukrainasve. Në rastin e parë, një gjykatë në Lomonosov, Rajoni i Leningradit, dënoi biznesmenin Dmitry Shurihin me 1.5 vjet burg për shpifje të vazhdueshme ndaj ushtrisë.

Avokati i tij, Dmitry Gerasimov, i tha AFP se klienti i tij nuk tregoi pendim dhe u shfaq “shumë i guximshëm” pavarësisht dënimit të tij.

“Ai nuk mendonte se do të burgosej”, shtoi ai, duke sqaruar se do të apelojë.

Surihin, 48 vjeç, u akuzua për vendosjen e posterave kundër sulmit ndaj Ukrainës në vitrinën e tij dhe për paraqitjen se mbante një pankartë ku shkruhej “Ukrainë, na fal”. Organizata joqeveritare Memorial, e cila e konsideron atë “të burgosur politik”, sqaroi se ky baba i pesë fëmijëve ka vite që është kundër qeverisë dhe kundër luftës dhe për këtë arsye i është nënshtruar presionit dhe persekutimit.

Në rastin e dytë, gjykata e qarkut të Kurskut, një rajon në kufi me Ukrainën, dënoi një 19-vjeçar me 6 vjet burg për “tradhti”. Danil Berdyugin, nga Novosibirsk, Siberi, dyshohet se u përpoq të kalonte kufirin ilegalisht për t’u “bashkuar me armikun”, tha gjykata në një postim në Telegram. Gjyqi i tij u mbajt me dyer të mbyllura.

Sipas organizatës joqeveritare OVD-Info, më shumë se 600 persona aktualisht po ndiqen penalisht në Rusi për shprehjen e kundërshtimit të tyre ndaj operacioneve ushtarake në Ukrainë.


Shtuar 3.08.2023 21:01