Me 12 dhjetor voton edhe Ibrahim Rugova!
Pëlqej
Ibrahim Rugova
Emri i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili vdiq në vitin 2006, është shfaqur sërish në listë zgjedhore në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e përgjithshme që mbahen me 12 dhjetor, shkruan Gazeta Zëri.

Emri i Rugovës nuk dukej në listën për zgjedhjet lokale të 2009, pasi ka qenë më parë i pranishëm në listën për zgjedhjet e vitit 2007.

Prania e presidentit të parë të Kosovës në listë zgjedhore vjen me gjithë fushatat e bëra para zgjedhjeve të vitit 2007, dhe 2009 që të fshihen të vdekurit nga lista e votuesve.

Ministria e Brendshme e Kosovës, e ngarkuar me freskimin e regjistrit, tha se lista më të fundit ishte përpiluar dhe ndryshuar në bazë të certifikatave të vdekjes të ofruara nga komunat.

Blerim Camaj, kreu i agjencisë së regjistrit, tha se zyrtarët e ngarkuar me përditësimin e listës së votimit ishin 99 për qind të bindur se ata kishin eliminuar njerëz të vdekur nga lista. "Ky emër mund të jetë një tjetër person i quajtur Ibrahim Rugova," tha Camaj, pavarësisht nga fakti se Rugova, në këtë listë, ka të dhënat personale të njëjta me atë të ish Presidentit të vdekur.

Ai shtoi se është çështje e familjarëve për të raportuar për vdekjen e të afërmve, tek autoritetet e tyre komunale. Megjithatë, "Ky është një zakon i njerëzve në Kosovë, të cilët nuk raportojnë për vdekjen e anëtarëve të familjes, dhe që krijon probleme".

Camaj tha se listat zgjedhore i janë dërguar dhjetë ditë më parë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe se tash është tepër vonë për të bërë ndryshime. "Është tepër vonë tani," tha ai, "por kjo do të ishte mirë që mediat t’u kujtojnë njerëzve se duhet raportuar për vdekjen e të afërmit të tyre."

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, i cili në është organ që do të organizojë zgjedhjet e parakohshme, tha se lista është "paraprake" dhe mund të përtërihet nga qytetarët mes 22 dhe 26 nëntorit. Zëdhënësi i KQZ-së Fehmi Ajvazi nuk mundi, megjithatë, të ofrojë ndonjë shpjegim se pse emri i Ibrahim Rugovës ishte rishfaqur në listë pasi i njëjti është fshirë për zgjedhjet e vitit 2009.

"Ne vazhdojmë të kemi probleme me njerëz që nuk i raportojnë vdekjet e anëtarëve të familjes në gjykata," tha ai, duke shtuar se ata duhet të paguajnë 20 euro për të dërguar një letër në komunë për të siguruar se emri i të dashurit të tyre do të hiqet.

Ibrahim Rugova nuk është i vetmi person i vdekur në listën e votimit. Pas kontrollimeve të emrave të personave të tjerë të vdekur, për të cilët familjet thonë se i kanë raportuar vdekjet e tyre në komunën e Prishtinës, sërish emrat e tyre ndodhen në listën e votuesve.

Në shtator është raportuar se një grua 123-vjeçare, dhe një tjetër të moshës 120-vjeçare, kishin votuar në zgjedhjet e vitit të kaluar. Nëse të dy këta ishin të gjallë, ata do të përfaqësonin njerëzit më të vjetër në tokë.

Por bazuar në listat më të fundit zgjedhore, ata mbesin ende të regjistruar për të votuar.

Përndryshe, emri i Ibrahim Rugovës është hequr nga faqja e internetit natën e fundit, pasi Ballkan Insight ka kontaktuar KQZ-së.
Shtuar më 18/11/2010, ora 20:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori