Mbyllja e universiteteve, Basha: Shok psikologjik, dëm financiar qindra familjeve
Pëlqej
Kreu i PD, Lulzim Basha është ndalur sot tek mbyllja e universiteteve, duke nënvizuar se projekti i Ramës pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë transparencë, ka shkaktuar një shok psikologjik.

Sipas tij, kjo do u kushtojë shtrenjtë financiarisht qindra familjeve shqiptare. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, sipas Bashës, paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie, po rëndon gjithnjë e më shumë në jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve.

"Mbi çfarë baze u imponon prindërve në Peshkopi, në Kukës, në Sarandë, në Gjirokastër, në Shkodër, që të paguajnë qira Tirane e kosto jetese Tirane, e të ndahen me fëmijët e tyre, koston e të cilëve e kishin marrë parasysh në kushtet e arsimimit afër qendrës së banimit.

Natyrisht, sistemi ka nevojë për përmirësim, sepse edhe Universiteti i Tiranës i cili ka përvojën më të gjatë, ka nevojë për përmirësim, imagjinoni filialet.

Po si i mbyll me një të rënë të lapsit dhe i nxjerr studentët në një situatë të pamenduar shoku psikologjik në fillim pa përgatitje dhe pastaj përballje të tyre dhe të prindërve të tyre, me një faturë të majme financiare", tha Basha.

Ai e konsideroi mbylljen e universiteteve, një aferë të pastër korruptive dhe për qëllime klienteliste nga dyshja Rama-Meta.

"Ne s’jemi kundër asnjë reforme. Mendojmë se sistemi arsimor ka nevojë për reforma që do ta bëjnë edhe më cilësor dhe më konkurrues, po nuk ka nevojë për “Adhamudhë”. Apo ka diçka më shumë, siç është në sektorin e shëndetësisë, ku e bën lëmsh skemën, vetëm e vetëm për të kapur linjat e furnizimit të ilaçeve, siç e bën në fushën e rendit, vetëm e vetëm për të emëruar militantët dhe njerëzit e lidhur me krimin në poste kyçe, e pas së cilës narkotrafiku u pesëfishua. Apo siç e bën me energjinë elektrike, ku ka të paktën 6 muaj që faturat janë minimalisht 40 deri në 100% më të larta se para një viti, apo siç e bëjnë me ndihmën ekonomike që nuk e japin, apo siç e bën me CEZ-in, ku ditën e fundit të Parlamentit, me procedurë të përshpejtuar i falën 3 miliardë dollarë pretendime të palës shqiptare, që sipas ekspertëve ndërkombëtarë, ishin plotësisht të fitueshme!?", u shpreh më tej ai. /albeu.com/

Shtuar më 05/08/2014, ora 10:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori