Pse ka dështuar lufta ekonomike kundër Rusisë

The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Këtë javë ne Perëndim pati shumë gëzim dhe entuziazëm kur parada e Ditës së Fitores së Vladimir Putin nëpër Sheshin e Kuq të Moskës, përfshiu vetëm një tank, si një relike e nxjerrë nga një muze. Përfundimi ishte se Rusia ka humbur aq shumë pajisje ushtarake në Ukrainë, saqë është tashmë një hije e superfuqisë ushtarake që dikur ishte Bashkimi Sovjetik.

Sigurisht, Rusia ka pësuar humbje të mëdha (megjithëse çdo vend që zhvillon një luftë në një vend të huaj do t’i kishte pajisjet e saj ushtarake në front dhe jo në një paradë ceremoniale). Por ne duhet të shmangim ndjenjën e vetëkënaqësisë.

E vërteta është se lufta nuk po shkon mirë as për Perëndimin, të paktën në një aspekt. Kur Putin dërgoi tanke në Ukrainë më 24 shkurt të vitit të kaluar, vendet perëndimore miratuan me shpejtësi një strategji me dy drejtime.

Në njërën anë ato nuk do të përfshiheshin në konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak, ndërsa nga ana tjetër do ta mbështesnin Ukrainën me armë dhe pajisje të tjera ushtarake. Disa vende ishin më të shpejta se të tjerat në këtë aspekt, por kjo pjesë e strategjisë ka qenë gjithsesi një sukses i jashtëzakonshëm.

Ukraina ka arritur t’i rezistojë forcave ruse dhe t’i dëbojë ato nga shumë zona, edhe pse rezultati përfundimtar është ende larg të qenit i sigurt. Perëndimi e nisi luftën e sanksioneve me një ndjenjë të ekzagjeruar të ndikimit të tij në mbarë botën.

Por plani për të zhvilluar një luftë ekonomike kundër Moskën, shkaktoi tronditje financiare dhe frikë në një shkallë të paparë më parë. Rusia do të izolohej thuajse tërësisht, me sanksione dhe bojkotime ndaj të gjitha importeve dhe eksporteve, përveç atyre humanitare, siç janë ilaçet.

Mendohej se Rusia e Putinit do të varfërohej deri në masën që do të detyrohej të dorëzohej. Por pak njerëz në Perëndim janë të vetëdijshëm se sa keq po shkon ky aspekt i luftës. Evropa ka paguar vetë një kosto shumë të lartë ndaj bojkotit të pjesshëm të naftës dhe gazit rus.

Importet e karburanteve fosile në Britaninë e Madhe nga Rusia arritën në 4.5 miliardë paund në 2021; në vitin që pasoi deri në janar 2023 kjo shumë zbriti deri në 1.3 miliardë paund. Në vitin 2020, BE-ja furnizohej nga Rusia për 39 për qind të gazit dhe 23 për qind të naftës. Ndërkohë në 3-mujorin e tretë të vitit të kaluar, kjo normë u ul përkatësisht në 15 për qind dhe 14 për qind. Por këto shifra nuk shpjegojnë shkallën e dështimit të synimit për të dëmtuar ekonominë ruse. Shumë shpejt u bë e qartë se ndërsa Perëndimi ishte i prirur për një luftë ekonomike, pjesa tjetër e botës nuk ishte fare e interesuar.

Ndërsa ranë eksportet e saj të naftës dhe gazit në Evropë, Rusia i rriti me shpejtësi eksportet e saj drejt Kinës dhe Indisë. Që të dyja këto vende preferuan më mirë të blinin naftë me ulje çmimi sesa të kundërshtonin pushtimin e Ukrainës.

Ç’është më e keqja, një pjesë e naftës ruse e eksportuar në Indi duket se është kthyer në Evropë, me një rritje të numrit të anijeve që marrin naftë të rafinuar nga India përmes Kanalit të Suezit. E njëjta gjë po ndodh në drejtimin tjetër.

Një investigim nga gazeta gjermane “Bild”, ka zbuluar një rritje shqetësuese të eksporteve drejt vendeve në kufi me Rusinë. Për shembull, importi i automjeteve gjermane në Kazakistan, u rrit me 507 për qind midis viteve 2021- 2022 dhe në Armeni me 761 për qind.

Eksportet e produkteve kimike në Armeni u rritën me 110 për qind dhe në Kazakistan me 129 për qind. Ndërkaq, shitjet e pajisjeve elektrike dhe kompjuterike në Armeni janë rritur me 343 për qind. Ajo që ndodh me këto produkte sapo të arrijnë në këto ish-republika sovjetike nuk është e lehtë për t’u kuptuar, por një shpjegim i mundshëm është se ato përfundojnë në Rusi si flukse tregtare të devijuara.

Dhe edhe nëse këto mallra nuk ri-eksportohen zyrtarisht, shumë qytetarë rusë kanë qasje pa viza në ato vende dhe janë në gjendje t’i blejnë dhe kalojnë mallrat përtej kufirit. Perëndimi ka ndjekur një politikë që synonte të godiste sidomos rusët e pasur përmes sanksioneve ekonomike.

Por si për ironi, këta të fundit janë njerëzit që mund t’i qasen më lehtë produkteve perëndimore përmes tregtisë së tërthortë. Janë ata që kanë nënshtetësi të dyfishtë; ata që kanë mundësi të udhëtojnë jashtë vendit për të blerë mallrat e tyre luksoze.

Me përjashtim të një bojkoti global kundër Rusisë, është shumë e vështirë të parandalosh mallrat e prodhimit perëndimor të mbërrijnë në duart e rusëve të pasur. Perëndimi e nisi luftën e sanksioneve me një ndjenjë të ekzagjeruar të ndikimit të tij në mbarë botën.

Siç kemi zbuluar, vendeve joperëndimore u mungon vullneti për të vendosur sanksione, as ndaj Rusisë, dhe as ndaj oligarkëve rusë. Dhe rezultatet e llogaritjeve të gabuara janë aty dhe mund të shihen nga të gjithë. Në prillin e vitit të kaluar, FMN-ja parashikoi se ekonomia ruse do të binte me 8.5 për qind në vitin 2022 dhe me 2.3 për qind këtë vit.

Në fakt, PBB-ja ra me vetëm 2.1 për qind vitin e kaluar, ndërsa këtë vit FMN-ja parashikon një rritje edhe pse të vogël prej 0.7 për qind. Dhe kjo pavarësisht se lufta në Ukrainë po shkon shumë më keq nga sa e imagjinonin shumë rusë në shkurt të vitit të kaluar. Ekonomia ruse nuk është shkatërruar; ajo vetëm sa është rikonfiguruar, dhe riorientuar për të parë drejt lindjes dhe jugut dhe jo drejt Perëndimit. Shpallja e luftës ekonomike nda Rusisë nuk ishte domosdoshmërisht e gabuar në vetvete.

Sepse ky vend ka pësuar dëme serioze nga sanksionet perëndimore, edhe pse jo në shkallën që ne imagjinonim se mund t’ia shkaktonim. Por nëse Perëndimi mendon se në të ardhmen mund të bëjë luftëra vetëm me mjete ekonomike, pa bomba apo plumba, gabon rëndë.

Pajisjet ushtarake perëndimore i kanë lejuar Ukrainës të zhvillojë një betejë si Davidi kundër Goliatit, të cilën ajo ka ende shanse që ta fitojë – dhe sigurisht të shmangë aneksimin nga Putin. Ndërkohë sa i përket sanksioneve ekonomike, ne do të duhet të ri-mendojmë qasjen ndaj tyre./albeu.com


Shtuar 13.05.2023 23:23

Tags: