Mblidhet sot tryeza e Reformës Zgjedhore, çfarë pritet të përcaktohet
Ditën e sotme, do të bëhet mbledhja e radhës e Reformës Zgjedhore, ku rreth dy muaj pas mbledhjes së fundit, përfaqësuesit e të gjitha partive politike mblidhen sërish për të caktuar agjendën e re të punës.

Takimi do të bëhet sipas rregullave të reja të diktuara nga situata e pandemisë.

Përfaqësuesit e maxhorancës, përfaqësuesit e deputetëve të rinj në Parlament dhe përfaqësuesit e opozitës do ta zhvillojnë mbledhjen online.

Takimi i sotëm pritet që të caktojë axhendën e re të punës së Këshillit Politik. Deri më tani, palët duket se kanë gjetur dakordësinë për çështjet që kanë më pak prioritet, ndërkohë për çështjet e nxehta, si depolitizimi i administratës zgjedhore, financimi i partive, roli i Policisë në zgjedhje dhe për votimin elektronik ende nuk ka një marrëveshje.

Ndërkohë, të dyja palët janë shprehur të gatshme ta përfundojnë draftin deri në fund të majit.

Megjithatë, miratimi nga Parlamenti s’mund të bëhet para datës 23 qershor, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.
Shtuar më 11/05/2020, ora 10:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori