Mbajtën gruan me muhabet, si u vodhën 20 milion lekë në Elbasan
Dy persona grabitën një shumë të konsiderueshme parash nga kasaforta në banesën e një biznesmeni në fshatin Hoxhaj të Elbasanit.

Ata u kapën nga policia 24 orë pas ngjarjes. Autorët ishin miq të pronarit të një pike karburanti në aksin rrugor Elbasan-Peqin.

Ata kishin shkuar me qëllim për ta takuar, por kishin gjetur vetëm bashkëshorten e tij.

Njëri prej tyre bisedonte me gruan, ndërsa tjetri ka arritur të gjejë vendin ku ndodhej kasaforta dhe ka marrë prej andej një shumë prej 20 milionë lekësh të vjetra.

Dy miqtë e pronarit Meridian Hoxha 30 vjeç dhe Dervish Hoxha 23 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin kanë shkuar te zyra e pikës së karburantit.

Njëri nga autorët e dyshuar ka nisur të bisedojë me bashkëshorten e pronarit, e cila qëndronte në zyrë dhe tjetri ka shkuar në banesën e biznesmenit që është ngjitur me karburantin. Atje ka arritur të marrë nga kasaforta, e cila nuk ka qenë e mbyllur, paratë që biznesmeni kishte xhiruar gjatë një jave.

Pasi kanë përfunduar misionin e tyre, me pretendimin se pronari i karburantit të cilin ato prisnin nuk po vinte, ata janë larguar. Pas rreth dy orësh, pronari ka konstatuar mungesën e parave në kasafortë.

Pasi bisedon me bashkëshorten e tij, hedhin dyshimet se dy miqtë dhe njëkohësisht bashkëfshatarët e tyre u kanë vjedhur paratë. Pas kësaj, ata kanë lajmëruar Policinë, e cila ka nisur menjëherë hetimet.
Shtuar më 12/03/2019, ora 10:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori