Masakra e Elbasanit ku u vranë tre vetë, gjithçka ndodhi në atentatin e bujshëm
Pak ditë më parë është shpallur në kërkim Mikael Qosja nga Elbasani pasi dyshohet si "truri" pas atentatit ndaj Endri Alibejt më datë 29 dhjetor 2018 tek rrethrrotullimi i Metalurgjisë në Elbasan.

Krahas Alibejt, në këtë atentat mbetën të vrarë Arben Dylgjeri si edhe turku Erdal Durunay.

Organet ligjzbatuese dyshojnë se Qosja e organizoi atentatin pas një prishje pazaresh me grupit të tij dhe atyre të vëllezërve Alibej, ndërsa aktualisht ai ndodhet në Dubai nën mbrojtjen e një tjetër grupi kriminal me origjinë nga Elbasani.

Atentati i bujshëm ndodhi rreth orës 20:30 të datës 29 dhjetor të vitit 2018 ndaj makinës “Land Rover” ku udhëtonin Alibej, Dylgjeri dhe Durunay u derdhën një numër i madh plumbash duke shkaktuar vdekjen e mënjehershme të tyre.

ABC ka siguruar dosjen hetimore të prokurorisë në lidhje me ngjarjen në fjalë, ku gjenden edhe dëshmitë e familjarëve pak minuta pas atentatit si edhe zbulimet e prokurorisë që çuan tek organizatori i dyshuar.

Duke këqyrur kamerat e sigurisë, prokuroria ka konstatuar se makina kryesore ku kanë qenë autorët ishte një Mercedes Benz, ngjyrë gri.

Siç thuhet në dosje, mbrëmjen që u vra, Endrit Alibej ka qenë bashkë me familjen dhe turkun Durunay për një darkë tek dajet e tij në fshatin Përparim të Peqinit. Bashkë me ta ishin edhe motra e Endritit, nëna, bashkëshortja e tij, një shtetase rumune, bashkëshortja e Erion Alibejt, Arben Dylgjeri dhe të tjerë.

Ata kanë dalë rreth orës 20:30 nga shtëpia e dajave duke hipur në tre makina. Vlen të theksohet fakti se bashkëshortja e Endrit Alibejt, një shtetase rumune, fillimisht kishte hipur tek makina “Land Rover”, por pas një sherri momental me të ka zbritur duke hipur tek njëra prej dy makinave të tjera, me thë cilat po udhëtonin familjarët.

Sipas prokurorisë, në makinën e parë tip “Land Rover” mbetën Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe turku Durunay. Pas tyre, në një largësi prej disa kilometrash ndodhej makina ku udhtëtonte nëna e Alibejt, dhe pas saj një tjetër makinë, ku udhëtonte motra.

Në dëshmi, motra e Endrit Alibejt thekson se pasi ishin nisur nga fshati Përparim janë parakaluar nga një makinë me shpejtësi duke mos dhënë detaje të tjera.

Ndërkohë që makinat i afroheshin Elbasanit, nëna e Endritit sheh se makina e tij kishte ndaluar në anë të rrugës tek rrethrrotullimi i Metalurgjisë, por nuk ndalon. Ajo merr në telefon të bijën duke i thënë “shiko pse ka ndaluar makina e çunit”.

Siç ka deklaruar para prokurorëve, në momentin që vjen në vendin ku ndodhej makina, motra e tij fillimisht mendon se bëhej fjalë për një aksident.

Menjëherë, motra e Alibejt telefonon dajen dhe i thotë se Endriti ka bërë aksident dhe se duhej të vinte aty.

“Pastaj pash që pjesa e mbrapme e makinës ishte shpuar me plumba”, shprehet ajo.

Në këtë moment, si personi i parë që ndodhej në vendin e ngjarjes, ajo ka tentuar të hapë derën e makinës, por pa sukses. E vetmja derë që hapej, thekson ajo, ishte ajo e pasme.

Disa sekonda më pas, në vendin e ngjajres vjen policia dhe konstatohet se të tre udhëtarët e asaj makina kishin ndërruar jetë.

Në dëshminë e tij, daja i Endrit Alibejt tregon se kur ka shkuar në vendin që e thirri mbesa, gjeti familjarët duke tentuar të hapnin dyert e makinës.

Gjatë hetimeve, prokuroria ka zbuluar prej fishekëve të përdorur se ndaj makinës është qëlluar me armë automatike, kalllashnikov ose mitroloz i lehtë.

Sipas prokurorisë, dyshohet se kjo ngjarje ka sjellë edhe vrasje të tjera në Elbasan siç është ajo e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Të dy ata kanë qenë shokë të Mikeal Qosjes dhe sipas prokurorisë janë vrarë me porosi të vëllait të Endritit, Erion Alibej, i arrestuar në shtator nga policia.
Shtuar më 10/02/2021, ora 15:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori