Mashtronin të huajt të investonin në bursa fiktive, arrestohen dy persona në Tiranë

Dy persona të cilët mashtronin shtetas të huaj përmes telefonit që të investonin në bursa fiktive janë arrestuar nga policia e Tiranës.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Trading”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. M., 26 vjeç dhe S. H., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shtetasit R. M. dhe S. H. administronin një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Egnatia”, të cilin e kishin përshtatur si call center.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, ata janë kapur në flagrancë gjatë kohës që po mashtronin një shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy të arrestuarit telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale laptopë, aparate celulare dhe USB që përmbanin të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/


Shtuar 25.01.2023 11:07