VIDEO/ Manchester City “prek” gjysmëfinalen e Championsit, fitore e thellë ndaj Bayern, hap i madh i Interit në Lisbonë

Dy ndeshjet e para çerekfinale të Champions League dhuruan spektakël. Interi siguroi një rezultat të rëndësishëm në Lisbonë, fitore 0-2 në aktin e parë ndaj Benficës, duke hedhur kështu një hap të madh drejtu kualifikimit.

Të besuarit e Schmidt ngacmuan të parët. Pas çerek ore lojë, portugezët do i afroheshin shumë golit të parë, goditje fantastike e Rafa Silvas brenda zonës, por e menjëhershme ishte përgjigja e Onanas, i cili i tha jo me pritjen e tij. Nuk vonoi shumë edhe një tentativë e një ish-i si Joao Mario, por pa rezultat.

Në mesin e pjesës së parë, Acerbi provoi me një gjuajtje nga distanca, sinjale të qarta të skuadrës së Inzaghit që shkaktuan drithërima në Lisbonë.

Nico Barella do ndëshkonte grekun Odysseas Vlachodimos në fillimin e pjesës së dytë, me një gol me kokë, krosim magjik i Bastonit.

Joao Mario do prektte topin me dorë në zonë 10 minuta nga fundi dhe arbitri akordoi penallti për mysafirët, pasi u këshillua me sistemin VAR. Nga pika e bardhë e penalltisë u tregua i saktë Lukaku. Ndeshja e kthimit luhet pas pak ditësh.

Manchester City tregoi se është një nga pretendentët e kompeticionit. Skuadra nga Manchesteri mundi pastër 3-0 një rival si Bayern Munchen, në një sfidë emocionuese të luajtur në “Etihad Stadium”.

Në minutën e 22-të, Erling Haaland shfaqet mrekullisht para portës së Sommer, e majta e tij nuk ishte e fortë, duke u neutralizuar menjëherë nga “gardiani” i kampionëve të Gjermanisë.

Pak më pas, “Qytetarët” do finalizonin me sukses një aksion. Do ishte Rodri që do shënonte si në “Play Station”, spanjolli nga larg ia doli të “shkundë merimangat”.

Sommer sërish protagonist në fund të fraksionit, pasi me një dalje i mohoi golin e dytë skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola.

Anglezët do mund të dyfishonin shifrat në të 70-tën, me Silvan. Bavarezët bëjnë gafë në mbrojtje, gabim i cili rezulton fatal. Vendasit do thellonin akoma më shumë shifrat, Erling Haaland do linte gjurmën e tij në këtë takim dhe do bënte që Manchester City të shkonte i qetë në ndeshjen e kthimit.


Shtuar 11.04.2023 22:53