Paralajmërimi i Ramës, a do t’i “hanë kokën” Xhaçkës pronat e zaptuara të ushtrisë?

SPAK është duke bërë arrestime të bujshme këto kohë duke futur pas hekurave persona kyç të Rilindjes, pikërisht ata që e sollën dhe e mbajtën në pushtet nga 2013 deri më tani.

Lefter Koka është në burg, po ashtu edhe Vangjush Dako me Ardian Çelën. Arben Ahmetaj në arrati, kurse një kryetarët e bashkive dhe drejtorët e arrestuar janë të shumtë.

SPAK duket sikur ka marrë një shtytje tani që në krye të tij është Altin Dumani duke trembur jo pak ata që kanë “ngrënë dardha dhe mollë pas shpinës së Kryeministrit”.

Pasi “mbaroi punë” me dosjen e sterilizimit SPAK duket se ka tashmë në fokus tenderët e Ministrisë së Mbrojtjes si edhe zaptimin e pronave nga oligarkët, me leje të krerëve të ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Ish-ministrja Olta Xhaçka është një ndër personazhet që po e viziton shpesh godinën e SPAK-ut gjatë javëve të fundit. Deri më tani, çështja që e lidh Xhaçkën publikisht me SPAK-un janë pikërisht pronat e ushtrisë.

SPAK ka sekuestruar portin e Limionit në Sarandë për shkak të shkeljeve galopante të kryera aty gjatë procesit të dhënies me koncension te kompania Concord Investment. Çështja tjetër edhe më flagrante është zaptimi nga kompania Porti MBM e ish-depos së minave detare në Porto Romano.

Në lidhje me këtë skandal ka një padi në Prokurorinë e Durrësit dhe një padi tjetër në SPAK.

Çështjet janë në hetim dhe gjasat janë që SPAK do të “godasë lartë” për pronat e ushtrisë.

Me sa duket, pronat e ushtrisë do të jenë ato që do t’i japin fund edhe karrierës politike të Olta Xhaçkës sepse siç tha edhe Rama sot, qeveria nuk do të ndërhyjë sado thellë të “futet SPAK-u”.  /albeu.com


Shtuar 18.08.2023 11:49