Manjani: Nuk bëj komente mbi gjyqtarët!
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka deklaruar se vendimet e gjykatave nuk komentohen dhe ky është një standard kushtetues në Republikën Parlamentare.

“Nuk paguhem nga taksat e shtetit që të jem komentues dhe analist. Jam Ministër i Drejtësisë dhe si i tillë që në ditën e parë që kam vënë dorën në Kushtetutën e Republikës, kam thënë se nuk do të dëgjoni nga unë asnjë koment për çështje konkrete të vendimeve të gjykatave dhe ky është standard kushtetues në Republikën Parlamentare.

Ministrit të Drejtësisë nuk i lejohet të komentojë publikisht mbi vendime konkrete dhe nuk kam ndërmend që të ligjëroj politikisht, publikisht, sepse nuk mendoj se fitohet publikisht duke komentuar mbi vendime të caktuara.

Detyra Kushtetuese e gjykatës dhe e çdo gjykatësi është të gjykojë dhe të dënojë këdo ndaj të cilit ka prova dhe të lirojë cilindo për të cilin nuk ka prova.

Në rast se gjyqtari nuk e bën këtë, atëherë nuk ka kryer detyrën. Ky është standardi im dhe unë i qëndroj kësaj dhe nuk lëviz asnjë presje nga çfarë kam thënë në këto gjashtë muaj me radhë.

Kam bërë thirrje që kushdo që ka qenë një herë në burg në jetën e tij dhe ka detyrë publike, është mirë që të largohet. Ky është një standard moral që nuk ka pse të mos e bëj përsëri si thirrje”, tha Manjani.

Ai komentoi edhe arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, duke thënë se gjyqësori ka mbështetjen e tij për çdo rast ku respekton ligjin.

“Kjo është një çështje konkrete që po e shqyrton gjyqësori dhe prokuroria, të cilët kanë mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë, për aq kohë sa bëjnë punën në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”. /albeu.com/


Shtuar më 14/06/2016, ora 13:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori