Manastirliu për vdekjen e mjekut Kerci: Mjekësia humbi një prej profesionistëve më të zotë
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të mjekut Mihal Kerci.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja u shkruan se prof. Kerçi luajti një rol të rëndësishëm sa profesional aq dhe njerëzor, në mbështetje të planit tonë në luftën kundër Covid19.

Postimi i plotë:

Prof. Mihal Kërcin e takova ditën kur iu bashkua task forcës së anestezistëve, e cila u krijua në fillimin e epidemisë në vendin tonë, së bashku me prof. Roland Xhaxhon dhe prof. Sokol Agollin.

Në muajt e punës me task forcën e ngritur, ku mjekët e shkëlqyer të anestezi-reanimacionit që iu përgjigjën situatës, vlerësonin nevojat, planifikonin hapat që duhet të hidhnim, me qëllim që virusi të mos na gjente të papërgatitur, rivendosnin në punë respiratorë në shërbimet tona spitalore, organizonin trajnimet me të rejat e fundit, prof. Kërçi luajti një rol të rëndësishëm sa profesional aq dhe njerëzor, në mbështetje të planit tonë në luftën kundër Covid19.

Lajmi që prof. Kërçi nuk ia doli në luftën e tij për jetën, më hidhëroi shumë. Mjekësia shqiptare humbi një prej profesionistëve më të zotë.

Në këto momente dhimbjeje, i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të dr. Mihalit.
U prehsh në paqe prof. Kërçi
Shtuar më 13/12/2020, ora 12:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori