Manastirliu: Mbërrijnë 11 mijë teste të tjera ndaj koronavirusit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar nga afër Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, nga ku ka bërë të ditur se 11 mijë teste të tjera kanë mbërritur në këtë laborator.

“Puna nuk ka ndalur për asnjë orë të ditës dhe të natës për të patur rezultatet në kohë reale, për të analizuar të gjithë territorin e vendit, për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet e shëndetësisë. Ne sot jemi në rreth 190 raste aktive, të cilat janë të shpërndara në 4 qarqe kryesore, por nga ana tjetër ajo çfarë nevojitet është vijimi i testimit dhe vijimi i gjurmimit të kontakteve të rrethit të parë, të rrethit të dytë, ashtu siç tashmë edhe në strategjinë e miratuar nga Komiteti i Ekspertëve është përcaktuar dhe është ndjekur”, tha Manastirliu.

Duke falenderuar stafin për punën dhe skarificën gjatë kësaj periudhe, Manastirliu u shpreh se, në fazën e rihapjes, do të intensifikohet testimi për gjurmimin aktiv të rasteve, ndaj edhe janë marrë të gjitha masat për forcimin e kapacieteve në Laboratorin e Referencës në ISHP. 11 mijë teste të tjera kanë mbërritur në këtë laborator, financim i qeverisë shqiptare.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ky laborator do të vijojë të ofrojë të njëjtin standard dhe do të jetë edhe në vijim i furnizuar, pasi çfarë kemi bërë deri sot është që kemi qenë në një linjë me strategjinë e miratuar edhe me të gjithë rekomandimet e strukturave ndërkombëtare. Çfarë duhet tashmë nga ky moment dhe në vijim është forcimi i kapaciteteve të laboratorit të Insitutit të Shëndetit Publik për të vijuar dhe për të patur testime, për të gjurmuar dhe për të izoluar çdo rast të dyshuar”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Duke u ndalur tek testimet serologjike, Ministrja Manastirliu deklaroi se edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë kryer deri tani mbi 1 mijë testime tek personeli shendetesor, duke vlerësuar si të suksesshme strategjinë e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Nga ana tjetër kemi vijuar me testimet e serologjisë për evidentimin e krijimit të antitrupave tek grupet e riskut. Janë më shumë se 1 mijë personel shëndetësor të cilët kanë kryer analizën serologjike. Rreth 8% e tyre kanë krijuar antitrupa, pra rezultojnë 8% që kanë IGG positive”, tha Manastirliu.

Drejtuesja e ISHP, Albana Fico tha se po vijon furnizimi në vijim me testet e nevojshme, ndërsa drejtuesja e deparamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi se po zgjerohen qendrat sentinel dhe po vijojnë trajnimet në të gjithë vendin për gjurmimin e rasteve të dyshuara.

Manastirliu bëri apel që në këtë fazë të rihapjes të rritet vigjilenca e strukturave dhe të përmirësohet sistemi i informacionit përsa i përket sistemit parësor në raport me qendrat sentinel, në raport me servejancën active dhe me të gjithë spitalet e vendit, për të mundësuar që në kohë reale testimin e rasteve, gjurmimin dhe izolimin në mënyrë që ne të kemi parandalim dhe kufizim të përhapjes së virusit.
Shtuar më 19/05/2020, ora 16:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori