Lion shkarkon trajnerin, Gattuso mund të marrë drejtimin e klubit

Aventura e Laurent Blanc si trajner i Lyonit zgjati më pak se një vit. Pas rezultateve të mira të arritura sezonin e kaluar, kur zëvendësoi Peter Bosz, tekniku i njohur nuk mundi të bënte të njëjtën gjë përsëri.

Vetëm një pikë në katër ndeshje në Ligue 1 nuk mjafton dhe tashmë zyrtarizimi i divorcit mes palëve ka ardhur. Largimi i disa elementëve të mirë nga skuadra bëri që ekipi të dobësohej dhe më pas kjo çoi në prishjen e kontratës, lajm i cili u komunikua nga klubi francez në kanalet zyrtare.

Blanc drejtoi Lyon  në 37 ndeshje gjithsej, duke marrë 18 fitore, 7 barazime dhe duke pësuar 12 humbje. Gennaro Gattuso është një nga emrat e përfolur për t’u ulur në pankinë.


Shtuar 11.09.2023 20:41