Ofensivat e pranverës nuk do të zgjidhin asgjë, lufta në Ukrainë do të jetë e gjatë

Nga Carlo Jean “Formiche.net

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Agresioni rus ndaj Ukrainës e ka kaluar tashmë ditën e 400-të. Dhe rezultati i tij është ende i pasigurt. Ndoshta gjërat mund të jenë më të parashikueshme pas ofensivave të paralajmëruara pranverore. Megjithatë, nuk është e sigurt se do të kemi ndonjë gjë të re.

Sepse sikurse e ka provuar tashmë historia, është gjithmonë më e lehtë të nisësh një luftë sesa t’i japësh fund asaj. Në fakt, në raste të tilla në lojë nuk janë vetëm fatet e palëve ndërluftuese, por edhe pushteti i udhëheqësve të tyre politikë. Konflikti i vazhdueshëm mund të zgjatet.

Edhe në rastin e një humbje totale, ukrainasit ka të ngjarë të vazhdojnë të luftojnë në thellësi, të paktën me një strategji guerile. Perëndimi do të vazhdojë që t’i mbështesë ata. Rusëve u mungojnë 500.000-600.000 trupat e nevojshme për të kontrolluar gjithë territorin.

Ne nuk e dimë se cilat synime mund ta nxitin Vladimir Putinin – sot një car pa perandori, por që aspiron të jetë një Pjetër i Madh i ri – drejt nënshkrimit të një marrëveshje paqeje. Planet fillestare për të aneksuar të gjithë Ukrainën apo për të vendosur një qeveri kukull në Kiev duken de facto shumë të zbehta.

Ne nuk e dimë se cilën ”fitore” e konsideron Putin të mjaftueshme për të shpëtuar pushtetin e tij: nëse kjo nënkupton vetëm Donbassi-n apo 4 rajonet e aneksuara nga Rusia (përveç Krimesë së domosdoshme), apo të gjithë bregun e Detit të Zi dhe territorit në lindje të lumit Dnieper apo në fund të gjithë Ukrainën, teksa ai vazhdon të shpallë kryqëzatën e tij kundër “nazistëve”.

Po ashtu nuk kemi asnjë ide mbi garancitë e sigurisë që Putini do të ishte i gatshëm të pranonte për atë që do të mbetej nga Ukraina. Si Putin po ashtu edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të arrijnë diçka që të paktën në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, mund ta “shesin” si një sukses.

Ose të paktën një zgjidhje të detyrueshme për palët, për të shmangur problemet e mëdha. Dhe ajo nuk duhet doemos të ketë lidhje me çështjet territoriale, por edhe me garancitë që do t’i jepen Ukrainës që të shmanget në mënyrë të besueshme mundësia e një agresioni të ri rus.

Këto garanci duhet të sigurohen nga Perëndimi, por të pranohen nga Moska. Për Putinin, ato mund të ishin të tilla, vetëm nëse do të ndiqnin konceptet e shprehura në dokumentin e fundit mbi parimet e politikës së jashtme ruse. Këto të fundit parashikojnë se Perëndimi nuk do të përzihet në zonën e ndikimit natyral të Moskës.

Prandaj do të ishte e pamundur një marrëveshje. Në fakt, kjo do të ishte e papranueshme edhe për qeverinë më pro-ruse në Kiev. Për Ukrainën, asnjë garanci nuk do të kishte kuptim pa angazhimin e drejtpërdrejtë të NATO-s në Ukrainë. Në kushtet aktuale, në pamundësi të një fitoreje vendimtare në terren, duket se nuk ka një alternativë ndaj zgjatjes së luftës aktuale.

Ajo nuk mund të përfundojë, të paktën për momentin, me një zgjidhje si Lufta e Koresë, pra me një armëpushim të zgjatur, të ndjekur nga ngrirja e konfliktit në vijën e frontit si dhe miratimi i garancive de facto nga Perëndimi në favor të Kievit.

Në këtë drejtim, aktualisht po debatohen dy zgjidhje: nga njëra anë, forcimi u ushtrisë ukrainase, një linjë e mbështetur nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken; nga ana tjetër, shtrirja në njëfarë forme e garancisë së NATO-s për ngrirjen e armëpushimit në Ukrainë.

Sipas mendimit tim, ka të ngjarë të pranohet zgjidhja për të shmangur poshtërimin e tepruar të Moskës. Masat që duhet të parandalojnë shpërthimin e një Lufte të re të Ftohtë me Rusinë janë duke u studiuar brenda NATO-s. Ato konsiderohen të domosdoshme për stabilitetin e brendshëm të Federatës Ruse, sidomos në rastin e shembjes së regjimit të Putinit.

Ky i fundit dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë treguar kohët e fundit shenja të qarta të paranojës dhe të vështirësisë për të mbajtur nën kontroll grupet e ndryshme që po luftojnë për pushtet në Kremlin. Këto masa mund të frymëzohen nga marrëveshjet e vitit 1997 midis Javier Solana, asokohe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministrir të Jashtëm rus Yevgeny Primakov, që çoi në Aktin Themelues NATO-Rusi, i pasuar nga marrëveshjet Pratica di Mare të vitit 2002.

Konsideratat e bëra bazohen mbi supozime të ndryshme. E para është pamundësia e një fitoreje në terren. Pra skenari shumë realist i një ngërçi ushtarak dhe vazhdimi i një lufte rrënimi. E dyta është pamundësia e Rusisë për të kryer një mobilizim të përgjithshëm.

E treta është mungesa e përshkallëzimit bërthamor. Së fundi, dështimi i parashikueshëm i çdo negociate paqësore, qoftë edhe ai i sponsorizuar bashkërisht nga Kina dhe Perëndimi.

Situata do të mbetet në ngërç, edhe pse Perëndimi nga frika e një përshkallëzimi nga Kremlini, do të vazhdojë të ndjekë kritere jashtëzakonisht graduale në transferimin e armëve në Ukrainë.

Pavarësisht fleksibilitetit të tyre operacional dhe aftësisë për të shfrytëzuar sa më shumë nga teknologjitë e reja, ukrainasit mund të mos jenë në gjendje t’i detyrojë rusët të kalojnë nga lufta aktuale e rrënimit në atë të manovrimit, e vetmja që mund të lejojë çlirimin e territoreve të pushtuara ruse.

Pavarësisht mbështetjes së shumicës së opinionit publik, Putin përballet me vështirësi në imponimin e rekrutimeve të reja. Edhe ai i mëparshmi, i shtatorit të vitit të kaluar, paraqiti probleme të mëdha: rreth 200.000 të rinj u larguan jashtë vendit, duke iu shtuar 700.000-800.000 që u larguan nga Rusia që në ditët e para pas fillimit të agresionit kundër Ukrainës.

Në përgjithësi njerëzit largohen kur pushtohet vendi i tyre, jo kur pushton një vend tjetër. Për më tepër, në fund të marsit të këtij viti, Putin u detyrua të pranonte efektin katastrofik që kanë sanksionet mbi ekonominë ruse, duke hedhur poshtë pretendimet e tij të mëparshme për këtë çështje. Elvira Nabiullina, guvernatorja e Bankës Qendrore Ruse, thotë se Rusisë do t’i duhen 10 vjet për të rikuperuar dëmet.

Së fundi, mbi konfliktin rëndon faktori i panjohur i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia. Mediat vazhdojnë t’i quajnë kërcënimet një taktikë, me supozimin se ajo mund t’i japë forcave ruse një avantazh vendimtar operacional ndaj atyre ukrainase. Pra se ato përdoren jo kundër qyteteve, por në fushën e betejës.

Unë nuk e kam konsideruar kurrë të mundshëm përdorimin e tyre. Ky vlerësim përforcohet edhe nga kundërshtimi i fortë i shprehur nga lideri kinez Xi Jinping. Efektet e bombave të lëshuara mbi trupat ukrainase do të ishin shumë të kufizuara, me përjashtim të rastit të përdorimit masiv të dhjetëra bombave. Por në këtë rast, Putin do të humbte mbështetjen e pothuajse të gjitha shteteve që deri më tani nuk e kanë dënuar agresionin e tij. Si përfundim, ofensivat pranverore të shpallura nga rusët dhe ukrainasit, nuk do të kenë rezultate vendimtare për fatin e luftës në Ukrainë.

Do të kemi një konflikt që do të zgjasë, dhe në të cilin Putini do të vazhdojë të shpresojë për rënien e koalicionit perëndimor që mbështet Ukrainën, ndërsa kjo e fundit do t’i vendosë shpresat e saj në një kolaps të pamundur të forcave pushtuese ruse apo të lidershipit aktual në Kremlin. /albeu.com