Zelensky: Bakhmuti ende nën kontrollin e forcave ukrainase

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase vazhdojnë ta mbajnë qytetin e vijës së frontit në lindje të Ukrainës, Bakhmutin, pavarësisht pretendimeve ruse se e kanë kapur atë.

Ai tha se një tërheqje e forcave ukrainase do të ishte e mundur nëse kjo do të nënkuptonte shpëtimin e trupave ukrainase.

“Gjëja më e rëndësishme për mua është që të mos humbasim ushtarët tanë”, tha ai, duke shtuar se në rast se trupat ukrainase do të rrethohen, “do të merren vendimet përkatëse të sakta”.

Qyteti i Bakhmutit dhe qytetet përreth të rajonit industrial lindor të Donjeckut kanë qenë caku qendror i sulmeve gjatë 13 muajve që kur ka nisur lufta në Ukrainë.

Më herët, Ukraina ka thënë se kontrollimi i Bakhmutit përbën “nevojë ushtarake”.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.