Lufta e dhimbshme me COVID-19, kush janë 18 mjekët që humbën jetën
Beteja me COVID-19 tashmë prej muajsh ka sfiduar gjithë normalitetin në të gjithë botën dhe në frontin e parë të luftës, qëndrojnë bluzat e bardha.

Por sfida e tyre nuk ka qenë aspak e lehtë duke shkaktuar edhe viktima nga radhët e tyre.

Edhe në Shqipëri shumë mjekë kanë gjetur vdekjen nga koronavirusi duke lënë pas dhimbje dhe boshllëk.

Për shkak se institucionet nuk ofrojnë të dhëna të sakta në këtë homazh mungojnë infermierët dhe personeli mbështetës në shëndetësi që kanë humbur fatkeqësisht jetën në këtë betejë shkruan mapo.

Mjekët që i humbëm nga COVID-19

Arjan Pushi- mjek hematolog
Ishte mjeku i parë që humbi jetën nga COVID-19 më 30 qershor të këtij viti, kur vendi sapo kishte dalë nga karantina disamujore. Dr. Pushi, ishte hematolog dhe pedagog i fakultetit të mjekësisë, i cili kishte përgatitur breza të tërë studentësh të mjekësisë. Vdekja e tij krijoi tronditje në publik, pasi u njoftua nga një koleg i tij, por u mohua fillimisht nga Ministria e Shëndetësisë, për t’u bërë publike vetëm një ditë më pas.

Hysni Shkjau – doktor familje
Mjeku i dytë që humbi betejën me COVID-19 ishte Hysni Shkjau, mjek familjeje. 69-vjeçari me 40 vite eksperiencë pune shërbeu deri në fund në qendrën shëndetësore Qafë Mali në Pukë. Mjeku Shkjau ndërroi jetë më 6 korrik pas disa ditësh i shtruar në spitalin infektiv në Tiranë.

Anibal Byberi- pneumolog
Mjeku pneumolog dhe drejtori i spitalit të Tropojës, Anibal Byberi, ishte vetëm 53 vjeç kur ndërroi jetë më 3 gusht pasi u infektua nga COVID-19. Ai e humbi betejën e tij vetëm 1 ditë pasi ishte shtruar në spitalin infektiv ku mbërriti në gjendje të rëndë.

Vilson Topulli- Epidemiolog (në pension)
Epidemiologu 73-vjeçar Vilson Topulli u nda nga jeta në 26 gusht pasi qëndroi 2 javë i shkruar në infektiv. Edhe pse kishte dalë në pension kolegët dhe vetë ministrja Manastirliu në një status të dedikuar e cilësuan humbjen e tij të madhe për mjekësinë shqiptare. Punoi që 19 vjeç në ISHP dhe konsiderohej si historia dhe kujtesa e këtij institucioni.

Zyliha Kraja – Kirurge
Më 4 shtator të këtij viti një lajm i hidhur erdhi për spitalin e Shkodrës. Kirurgia 78-vjeçare Zyliha Kraja humbi jetën nga COVID-19. Edhe pse në pension ajo kontribuonte në mënyrë aktive për në spitalin e Shkodrës me operacione dhe gjatë një operacioni ajo u infektua dhe kjo i kushtoi jetën. Kirurgu i njohur, Arben Beqiri, shkruante në dedikimin e tij se dr. Kraja bënte pjesë te drejtuesit e rëndësishme të kirurgjisë, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm.

Memo Boci- epidemiolog
Epidemiologu Memo Boci, mjeku që nuk lejoi që Shqipëria të pësonte katastrofë nga HIV/AIDS ka mbyllur sytë më 2 shtator. Boci u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, teksa lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë doktoreshë Silva Bino. Bino shkruante se Boci luftoi HIV/AIDS në vendin tonë, duke ndërtuar programin e parë të parandalimit për këtë sëmundje vdekjeprurëse në të gjithë botën.

Agron Menzelxhiu- kirurg
Kirurgu i spitalit “Shefqet Ndroqi” i kthyer në një spital COVID, Agron Menzelxhiu, 71-vjeçar, mbylli sytë më 13 shtator pas betejës me COVID-19. Ai njihej si një mbrojtës i flaktë i të drejtave të mjekëve. Për humbjen e tij kishte dhe një mesazh ngushëllimi nga presidenti Ilir Meta, ndërsa kolegu i tij, Petrit Vargu, shkruante se ai ishte mjeku dhe njeriu i mirë që luftoi gjithmonë për jetën e njerëzve.

Sefer Dervishi – mjek familjeje
Ishte në krye të detyrës si mjek familjeje në qendrën shëndetësore Helmas, Kavajë, kur u infektua me COVID-19. Mjeku Sefer Dervishi, 61 vjeç, humbi jetën më 16 shtator në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Përmes një postimi në Facebook, Manastirliu teksa i shpreh ngushëllimet të sinqerta familjes dhe kolegëve të doktor Dervishit, ndërsa bënte me dije se beteja e tij me koronavirusin zgjati për rreth dy javë.

Esat Pashaj – Mjek i përgjithshëm
Pas 9 ditësh i intubuar më 5 tetor humbi jetën nga koronavirusi mjeku 72-vjeçar Esat Pashaj. Ai ishte një nga mjekët më të njohur në qytetin e Skraparit. I lindur më 16 maj 1948, doktor Esati ishte dhe njëherësh Anëtar i Këshillit Bashkiak Skrapar dhe njëherësh ishte nëndrejtor i Spitalit Bashkiak. Thuhet se Pashaj, edhe pse e kishte kaluar moshën e pensionit vijonte punën si mjekspitalin Skraparit për shkak të mungesës së mjekëve.

Astrit Haziri- Mjek i përgjithshëm
Kukësi dhe Hasi do të kenë një mjek më pak për komunitetin e tyre, në zona ku mjekët mungojnë prej vitesh. Astrit Haziri, 54 vjeç, punonte si mjek i përgjithshëm në spitalin e Kukësit dhe mjek familjeje në Has. U dërgua në Turqi për mjekim të specializuar derisa mbylli sytë më 20 tetor. Ishte në vijën e parë të luftës ku u infektua në detyrë.

Ilirjan Draçi- gastrohepatolog
Mjek gastrohepatolog, drejtor i Poliklinikës së Specialiteteve në Njësinë nr.1. Nga spitali i shtruar bënte thirrje për kujdes. Humbi jetën më 17 nëntor pas 2 javësh në infektiv. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi vdekjen e tij duke shkruar se “Dr. Ilirjan Draçi ishte mjeku që me profesionalizëm e përkushtim i shërbeu komunitetit të banorëve të Tiranës për vite e vite me radhë, si mjek dhe drejtues në poliklinikën e specialiteteve nr.1.”

Shaqir Shehu- Kirurg
Shaqir Shehu ishte një tjetër humbje në radhën e bluzave të bardha të qytetit të Kukësit. Ai ishte 68 vjeç dhe punonte si kirurg ortoped në spitalin e qytetit. U dërgua në Turqi për mjekim të specializuar, por e humbi betejën me sëmundjen. Ishte shpallur qytetar nderi në Kukës për kontributin në luftën e Kosovës. Shehu ka qenë prefekt deri në 2005. Ai ndërroi jetë më 20 nëntor.

Ibrahim Kaziu- pneumolog
Një tjetër humbje e madhe për spitalet rajonale të vendit që vuajnë nga mungesa e personelit shëndetësor. Spitali i Dibrës humbi këtë vjeshtë mjekun 68 vjeçar Ibrahim Kaziu, i cili punonte si pneumolog në këtë spital në vijën e parë të frontit. Kaziu ishte anëtar i këshilli kombëtar të urdhrit të mjekëve . Pasi u shtrua në infektim ai humbi jetën më 24 nëntor.

Bledi Nini-Mjek ORL
Komuniteti i mjekëve u trondit thellë nga humbja e mjekut ORL, Bledi Nini, në moshën 48-vjeccare. Nini, i cili për shumë kohë ka punuar në shërbimin ORL apo spitalin francez siç njihet nga qytetarët pranë QSUT ishte prekur nga Covid prej disa javësh para se të humbte betejën gjatë trajnimit të specializuar në Itali. Qindra mesazhe ngushëllimi vërshuan për mjekun në rrjetet sociale.

Muharrem Xhepaxhiu- Mjek Familje
Më 27 tetor humbi jetën dr. Muharrem Xhepaxhiu, Mjek Familje dhe drejtor në Qendrën Shëndetësore Hysgjogaj në Lushnjë. 64-vjeçari Xhepaxhiu u përcoll me nderime të mëdha në homazhet që u bënë në qytetin e tij, ku qytetarë dhe stafi mjekësor i spitalit të Lushnjës, mbushën rrugën drejt qendrës së qytetit, e me duartrokitje e këngë baladë duke e përcjellë me dhimbje për në banesën e fundit.

Pëllumb Maletaj- infermier
Infermieri i Spitalit Ushtarak në Tiranë humbi jetën në moshën 63-vjeçare për shkak të koronavirusit. Të afërmit dhe miqtë e tij kanë shprehur hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Pëllumb Zef Maletaj me origjinë nga Tetajt e Merturi. Siç shkruajnë miqtë e tij, Maletaj ishte një person i devotshëm në punën e tij dhe të gjithë e thërrisnin ‘doktori’.

Ibrahim Kaziu- Pneumo-fiziatër
Më 25 nëntor Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë njoftoi humbjen e mjekut dr. Ibrahim Kaziu, Mjek Pneumo-fiziatër dhe drejtues teknik në Spitalin Rajonal të Dibrës. Dr. Ibrahim Kaziu ishte President i Këshillit Rajonal të UMSH-së Dibër për 2 mandate si dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

Elmaz Eltari-mjek në pension
Më 23 tetor humbi jetën nga COVID-19 edhe mjeku në pension Elmaz Eltari. Ai ishte profesori i njohur i Sëmundjeve Infektive, pedagog dhe mjeshtri në njohjen dhe mjekimin e sëmundjeve infektive, sipas dedikimeve që i bënë kolegët e tij.

Myftar Zemani –mjek familje
Humbja më e fundit në radhën e bluzave të bardha është ajo e doktor Myftar Zemanit më datë 3 dhjetor. Humbja e tij u bë e ditur nga të afërm dhe miq të tij në rrjete sociale. Avokati Genc Gjokutaj e ka dhënë lajmin e trishtë në një postim në rrjete sociale. I lindur më 10 shkurt 1942 në Kuç të Vlorës, doktor Tarja pas mbarimit të fakultetit të mjekësisë, shërbeu në Bishan, Roskovec, Fier etj. Kudo ku ka punuar është dalluar për shpirtin human, i papërtuar, i lidhur me banorët edhe për hallet e shqetësimet e tyre, duke u bërë kështu një figurë popullore.

Shtuar më 05/12/2020, ora 10:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori