Tifozët “sfidojnë” koronavirusin, futen në fushë për të festuar kualifikimin në finale (VIDEO)

Si është e mundur? Kështu i komentuan në Francë imazhet e fundit të sfidës mes Saint Etienne dhe Rennes (2-1), me vendësit që siguruan pas 38 vitesh finalen e Kupës së Francës (do të përballen me PSG-në).

Tifozët vendës, pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit kryesor, që sanksionoi kualifikimin e Saint Etienne, mësynë në fushë, për ta festuar këtë arritje pas thuajse katër dekadash.

Imazhe të pabesueshme, në një kohë kur frika nga Koronavirusi i ka bërë njerëzit të qëndrojnë larg tubimeve që të shmangin kontaktet fizike me të tjerët.

Jo vetëm që nuk u luajt me dyer të mbyllura, siç po ndodh në Itali, por tifozët as që e vranë mendjen nga rreziku që mund t’u vijë nga Koronavirusi.

Sigurisht që sjellja e tyre nuk është e paligjshme, madje as forcat e rendit dhe ato të sigurisë nuk e morën guximin për ta ndërprerë festën e tifozëve në terrenin e lojës.


Shtuar 6.03.2020 13:28