LSI voton nesër: Monika Kryemadhi kandidatja e vetme për kryetare
Lëvizja Socialiste për Integrim nesër do të aplikojë për herë të parë votimin online.

Luan Rama u shpreh se Kryemadhi do të jetë e vetme në garë dhe zgjedhjet do të rikonfirmojnë detyrën e saj.

"Nuk ka ndonjë sekret që LSI do të votojë nesër Monika Kryemadhin në detyrën e Kryetarit të LSI-së, për të dhënë në këtë mënyrë mesazhin e mbështetjes, mesazhin e unitetit, mesazhin e solidaritetit dhe mbi të gjitha mesazhin e vendosmërisë për të fituar në zgjedhjet e 25 prillit", tha numri dy i kësaj partie, Luan Rama.

Kryemadhi e mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Petrit Vasilit, ndërsa këtë mandat të dytë ajo do ta mbajë për katër vite.

"Natyrisht nesër procesi i votimit ka rëndësinë e vet, prandaj gjatë gjithë ditës ne do të jemi online në sytë e qytetarëve dhe ju ftoj të gjithë anëtarët e LSI-së të votojnë nëpërmjet aplikacionit që do të mbërrijë në telefonin e tyre, çka është një aplikacion i vlefshëm vetëm për ata që kanë marrë kartën e re të anëtarësisë. Përveç votimit online të fshehtë, të garantuar, i cili është padyshim modeli i parë i aplikimit në këtë cilësi dhe këtë standard në Shqipëri, ata që nuk e kanë këtë mundësi për shkak të mos pasjes së kartës së re, do të mund të votojnë pranë qendrave të votimit që janë hapur në të gjitha bashkitë", theksoi Rama.
Shtuar më 20/11/2020, ora 15:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori