LSI prezanton programin politik, Kryemadhi zbulon dakordësinë me PD
Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi programin e saj politik për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo parti politike tashmë është e para që prezanton programin e saj, duke mos pritur aleatin e saj Partinë Demokratike. Kjo tregon se LSI-ja tashmë do të konkurrojë më vete në zgjedhjet parlamentare.

Fjalën hapëse në prezantimin e programit politik, e ka mbajtur ish-deputeti, Edmond Haxhinasto. Ai u shpreh ky program synon qëndrueshmëri dhe jo një zgjidhje momentale. Po ashtu, Haxhinasto u ndal edhe në disa prej pikave kryesore të programit.

“Në planin tonë nuk ka dhe nuk do të ketë zgjidhje momentale, populiste apo klienteliste si mazhoranca, por zgjidhje që synojnë qëndrueshmëri, kështu janë dhe propozimet tona për tërheqjen e investimeve. Shumë nga propozimet tona janë vizionare, i shërbejnë ndreqjes së gabimeve, por krijojnë edhe perspektivë. Programi ynë synon të eliminojë qeverisjen e trukuar e buxheteve fasadë dhe të bëjë matësin e vetëm koston e jetesës. Rritja e borxhit publik, s’do të jetë pjesë e këtij programi. Programi ynë parashikon uljen e kostos së qytetarëve, duke shtuar më tej zhvillimin e industrisë ushqimore, rritjen e prodhimit vendas. Synim është kthimi i besimit te mirëqeverisja. Kanë efekte të menjëhershme, jo premtime për kohën e ardhshme”, tha Haxhinasto

Pesë prioritetet e LSI, të shpalosura në planin e kësaj partie, janë taksa e sheshtë 9 për qind, për të cilën ata thonë se kanë arritur dakordësi me partnerët opozitarë.

Realizimi i reformës në arsim, taksë 1 për qind për arsimin dhe kompanitë e mëdha. Po ashtu, synim është masivizimi i programit Mëso dhe Fito si dhe bërja e investimeve në kërkim shkencor. Gjithashtu kjo parti premton një dyfishim të pagës së mësuesve.

Sa i përket bujqësisë, LSI thotë se synon që të mbështesë fermerët për njësitë e prodhimit si dhe të vendosë zero taksë dhe TVSH për të gjithë zinxhirin e prodhimit. Këto prioritete, LSI angazhohet t’i realizojë në 5 mujorin e parë të qeverisjes.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka detajuar programin politik për zgjedhjet e 25 prillit duke theksuar edhe prioritetet kryesore.

Kryemadhi ka deklaruar se përpos taksës së sheshtë 9% që ka rënë dakord me PD, vetë LSI do të angazhohet që çdo familje apo person me të ardhura nën 35 mijë lekë të reja në muaj mos paguajë asnjë taksë.

Sa i përket arsimit Kryemadhi tha se LSI do të realizojë një reformë tërësore, sektor që do të mbështetet me 5% të PBB-së, si dhe me programin Garancia Rinore do të mbështesë sipërmarrjen e lirë të profesionistëve të rinj në Fushën e teknologjisë dhe inovacionit
Shtuar më 25/01/2021, ora 10:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori