Ibrahimoviç rikthehet pas 425 ditësh të luajë titullar

Milani ka nevoje për ndihmën e të gjithëve në fundin e këtij sezoni dhe Zlatan Ibrahmoviç po bëhet gati të lërë shenjën e tij. Ka kaluar më shumë se një vit nga hera e fundit, por duket se sulmuesi suedez do të jetë përsëri mes titullarëve me fanellën kuqezi në kampionat.

Sipas mediave italiane, në stërvitjen e sotme, Stefano Pioli ka provuar futbollistin mes titullarëve për anti-Udinezen dhe nëse gjërat shkojnë pa telashe deri të shtunën, pritet që të jetë ai që do të zbresë në fushë që në start me ekipin në fushë dhe jo Zhiru. Një gjë e tillë nuk ndodhte prej 425 ditësh, kur për herë të fundit në kampionat Ibra luante titullar, në duelin ndaj Specias.

Më pas nisi kalvari i gjatë i dëmtimeve e problemeve fizike që ngushtuan minutazhin e tij derisa mori vendimin të operohej në verën e kaluar, për t’u kthyer pikërisht kur Milani ka më shumë nevojë.


Shtuar 16.03.2023 20:10