Lloji i ri i COVID-19 mbërrin në Greqi, pritet shtim i masave shtrënguese
Në Greqinë veriore deri më tani janë zbuluar tre raste të llojit të ri të koronavirusit, që thuhet të jetë më i transmetueshëm se origjinali. Lajmin e ka bërë të ditur për mediat Profesoresha e Departamentit të Mjekësisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Anna Papa.

Sipas raportimit të mediave greke, dyshimet janë që në vend të ketë një numër më të madh rastesh me variantin “anglez” të koronavirusit.

Anna Papa, e cila zbuloi shkurtin rastin e parë të koronavirusit në Selanik , është shprehur se ishte thjesht çështje kohe para se varianti i ri i Covid-19 të konfirmohej në Greqi.

“Llojet e reja të virusit që ka pësuar mutacion u identifikuan dy ditë më parë në laborator. Ne nuk u habitëm sepse ishte vetëm çështje kohe.., pasi që tashmë ishte bërë e ditur se ishte konfirmuar në Athinë dhe Kretë. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për vëmendje nga të gjithë ne, duhet t’i zbatojmë masat në mënyrë korrekte, ” u shpreh ajo.

Ndërkaq bëhet me dije se në të gjithë vendin janë identifikuar 59 raste me variantin e Britanisë së Madhe.

Sipas njoftimit të Autoriteteve të shëndetit në vend është bërë e ditur se nëse konfirmohet një numër i madh rastesh me këtë mutacion të Covid-19, vendi mund të shtrëngojë më tej masat anti-covid.
Shtuar më 26/01/2021, ora 15:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori