Llogari bankare për të gjithë, këtë vit adoptohet direktiva e BE-së
Brenda këtij viti, Banka e Shqipërisë do të adoptojë Direktivën e Bashkimit Europian mbi llogaritë e pagesave.

Në thelb, adoptimi i kësaj direktive do t’i ofrojë çdo personi të drejtën për një llogari bazike pagese pa kosto ose me kosto simbolike, pavarësisht vendbanimit apo gjendjes së tij financiare. Gjithashtu, adoptimi i kësaj direktive do të përmirësojë transparencën e tarifave të këtyre llogarive, si dhe të lehtësojë kalimin nga një bankë te tjetra.

Zgjerimi i përqindjes së popullsisë që zotëron një llogari bankare dhe kryen veprime me të synon rritjen e përfshirjes financiare dhe uljen e përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Mbështetur në të dhënat më të fundit fundit, vetëm rreth 40% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë një llogari bankare. Ekonomia shqiptare ka përdorim tejet të lartë të parasë cash dhe 96% e pagesave nga konsumatorët dhe bizneset shlyhen në para fizike.

Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore për kostot dhe kursimet e pagesave me vlerë të vogël ka treguar se në total këto pagesa kanë një kosto sa rreth 2.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose pothuajse 300 milionë dollarë në vit.

Zëvendësimi i një pjese të pagesave cash do të ulte kostot, duke siguruar kursim të konsiderueshëm të parasë, por edhe të kohës, për konsumatorët. Baza për të ulur përdorimin e cash është që sa më shumë individë të zotërojnë një llogari bankare, që më pas do të shërbente në funksion të formave alternative të pagesave.


/SCAN/
Shtuar më 23/02/2020, ora 20:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori