"Lista për Shqipëri Natyrale", nxit debate në Maqedoni
Pëlqej
Promovimi i Lëvizjes së re politike mbarëshqiptare “Lista për Shqipëri Natyrale” në Tiranë ka nxitur debate edhe në Maqedoni. Një pjesë e mediave maqedonase kanë trajtuar promovimin e kësaj liste, duke e vlerësuar si kërcënuese dhe utopiste për rajonin dhe Maqedoninë.

Burime pranë Ministrisë së Jashtme jozyrtarisht e ka vlerësuar projektin si një ide utopiste, pasi që sipas tyre, Shqipëria duhet të heq dorë nga anëtarësimi në NATO dhe më pastaj të provohet projekti i ekspertit Danaj.

Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike (LDM), një nga deputetët e partive të koalicionit qeveritar në Maqedoni theksoi se projektet e tilla duhet të shihen me seriozitet. “Idetë për Shqipëri të Madhe nuk do të zhduken edhe për një kohë. Si shtet duhet të jemi të kujdesshëm kur plasohen teza të tilla”, theksoi Trajanov.

Ndërkohë, mediat shqiptare në Maqedoni kanë raportuar për krijimin e lëvizjes së re mbarëkombëtare e cila ka për synim bashkimin e trojeve etnike. Mirëpo, asnjë nga liderët politik nga Maqedonia nuk kanë marrë pjesë në këtë eveniment në Tiranë, ku ishin të pranishëm vetëm kryetarët e komunave Preshevë dhe Bujanovc, Ragmi Musta dhe Jonuz Musliu, kryetari i Lëvizjes për Bashkim në Kosovë Avni Klinaku, nënkryetari i Vetëvendosjes, Liburn Aliu etj.

Parimet bazë të kësaj lëvizjeje i bëri me dije drejtuesi i saj, Koço Danaj. "Qëllimi jone është i qartë qysh në titull. Ne kërkojmë dhe do të kërkojmë bashkimin e trojeve shqiptare me mjete demokratike. Ne duam të zhdukim dhe do ta zhdukim artificialitetin unikal në mbarë kontinentin, që një komb siç është kombi shqiptar, të ketë që nga Ulqini deri në Kepin e Stillos si vijë kufitare vetëm veten e tij", ka theksuar Danaj. (albeu.com)
Shtuar më 03/11/2010, ora 14:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori