Lirimi i "eksponentëve" të rrezikshëm të krimit nga burgu, reagon Etilda gjonaj
Ditët e fundit në media dhe rrjete sociale, ka shpërthyer një debat në lidhje me lirimin e disa emrave të njohur të botës së krimit.

I pari që u lirua ishte Endrit Dokle, i cili më parë ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Dokle njihet si ish-anëtar i bandës së Durrësit dhe më pas si kundërshtar i Lulzim Berishës pas përçarjes së bandës famëkeqe.

Pas tij u lirua edhe Ergys Kolaveri, i cili ishte dënuar pasi tentoi të vriste me snajper një të burgosur.

Këto lirime janë konsideruar si absurde dhe korruptive, pasi lirimi i eksponentëve të tillë të krimit rrit rrezikun për ngjarje të tjera kriminale.

Raportimi i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për ligjin për amnistinë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ka prodhuar debat, por edhe momente, ku deputetet nuk i kanë kursyer shakatë.

Opozitari Myslim Murrizi u shpreh se amnistia po jepet më tepër për kriminelë të gradës së rëndë dhe se persona të dënuar për krime të rëndomta vijojnë të qëndrojnë pas hekurave.

Ministrja Gjonaj, duke u përgjigjur për rastin e fundit të lirimit të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, theksoi se ka pasur gabime në vendimet e amnistive të mëparshme dhe se nga kjo gjë kanë përfituar këto personazhe.

DEBATI NË KOMISION

Myslim Murrizi: Do ishte mirë që amnistia të bëhej para Vitit të Ri. Nuk ka mbetur më pikë dinjiteti në këtë shtet e qeveri. E keni ndryshuar Kodin Penal si ju do qejfi. Do dënoni ‘Zogun e Tiranës’, e keni përdorur për vota. Do të vlerësoja shumë nëse je parashikuese. Na thuaj kur do jetë tërmeti tjetër?!

Etilda Gjonaj: Unë dëshiroj të saktësoj diçka, pasi sakrifikova mbledhjen e qeverisë sot për të vijuar mbledhjen për amnistinë. Rastet e fundit ku kemi pasur lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë, me dënime alternative siç kanë qenë lirimet me kusht, për të cilat edhe unë si ministër Drejtësie kam marrë masat dhe kam reaguar duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm lidhur me vendime të tilla të paligjshme në konsideratat e mia dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Për këtë arsye kemi qenë shumë të fokusuar për të kuptuar dhe për të qenë të kufizuar lidhur me kriteret dhe kategoritë e atyre që do të përfitojnë nga kjo amnisti.

Për hir të së vërtetës ka një problematikë, ku edhe nga amnistitë e mëparshme që janë dhënë apo propozuar nga ministrat e mëparshëm të Drejtësisë, janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kritere ndaluese, duke u krijuar mundësinë e përfitimit edhe subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë. Nëse sot apo më përpara, në Gjykata ka njohje të amnistisë edhe për subjekte kriminale që janë dërguar me burgim të përjetshëm apo dënime të larta, ato kanë përfituar edhe nga amnistitë e mëparshme.
Shtuar më 23/01/2020, ora 11:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori